LajmeMaqedoni

Shpëtimtari i Mijallkovit Enver Bexheti, synon postin e gjykatësit suprem

Ende nuk është plotësisht e qartë në qoftë se gjykatësi Enver Bexheti i cili e shpëtoi ish-shefin e policisë sekrete, Sasho Mijalkov nga vuajtja e dënimit me burg, do të ndëshkohet ose do të shpërblehet me postin e gjyqtarit suprem, të cilin e synon. Bexheti, së bashku me gjykatësen Lirie Elezi kishin shkelur dispozitat ligjore duke mbajtur qëllimisht lëndët për Mijalkovin në sirtarë me muaj të tërë deri në vjetërsim. Këto janë gjetjet e raportit të Këshillit Gjyqësor. Ndërkohë edhe pse Këshilli Gjyqësor përmes sistemit elektronik ka qasje që në çdo kohë të ndjekë rrjedhën e lëndëve, hapin për të inspektuar punën e Apelit e ndërmori vetëm pas reagimeve të shumta të opinionit publik si dhe presionit ndërkombëtar për gjyqësor të pavarur.

Përkatësisht, anëtarët e këshillit në çdo kohë kanë mundur të shohin se si lëndët e Mijallkovit flenë në sirtar, ndërsa Apeli vazhdon punën me lëndët e tjera, madje, edhe ato më të reja të vitit 2022. Përkundër deklarimeve të një dite më parë se ka pasur shkelje të ligjit nga gjykatësit, sot nga Këshilli nuk ishin shumë të sigurt në qoftë se dikush do të bart përgjegjësi, apo jo. Thanë se vazhdojnë të hetojnë.

“Tani po hyjmë në një fazë të re që nënkupton konfidencialitetin dhe mbrojtjen e integritetit të gjyqtarëve. Këshilli Gjyqësor do të vazhdojë të punojë në këto raste për të përcaktuar nëse dikush është përgjegjës apo jo në mënyrë që ata të ndërmarrin veprime të tjera ligjore në të ardhmen”, njoftojnë nga Këshilli Gjyqësor.
Jozyrtarisht, mësojmë se kjo procedurë mund të zgjasë me muaj dhe ndëshkime do të ketë. Por nuk dihet ende se cili nga “shpëtimtarët” e Mijallkovit do të përgjigjet për shkeljet, pasi vendimet janë marrë nga këshilli pesë anëtarësh i Gjykatës së Apelit, por kryesorët dhe më kompetentët, për “Target Fortesa” dhe “Thesari”, janë Enver Bexheti dhe Lirije Elezi.

Përderisa Mijalkov do të gëzojë lirinë për lëndët kryesore, sipas organizatës “Të Gjithë për Gjykim të Drejtë”, masat që mund të ndërmerren kundër gjykatësve janë nga më e lehta, që është procedura disiplinore, deri te ndjekja penale e tyre.

“Nga aspekti i përgjegjësisë individuale, nëse konstatohen shkelje të procedurës të shkaktuara nga gjykatësit, Këshilli Gjyqësor ka mundësi të fillojë procedurë disiplinore ndaj gjykatësve dhe t’i ndëshkojë, madje edhe t’i shkarkojë nga detyra. Po ashtu, nëse ka dëshmi se shkelja e procedurës është bërë me keqpërdorim të pozitës zyrtare të gjyqtarëve me qëllim të përfitimit, marrjes së ryshfetit etj.. atëherë mund të iniciohet procedurë penale”, thonë nga Të Gjithë për Gjykim të Drejtë.

Në vitin 2018 u vendos vepra e re penale Pengimi i Drejtësisë, sipas së cilës, nëse ka dyshime për ndikim të paligjshëm në gjykatë të shkaktuar nga një kërcënim serioz ose nga premtimi, ofrimi ose dhënia e ndonjë përfitimi, autorët sanksionohen. Në vitin 2020 ish kryetari i Gjykatës Penale në Shkup Vlladimir Pançevski u dënua fillimisht me 3,5 vite burg për keqpërdorim të detyrës dhe autorizimit zyrtar, përkatësisht keqpërdorimit të sistemit elektronik për shpërndarjen e lëndëve të quajtur AKMIS. /Alsat.mk

Show More

Related Articles

Back to top button