Sot në ora 10:00 vazhdon seanca kryesore e procesit gjyqësor për të akuzuarit për zjarrin në spitalin modular të Tetovës më 8 shtator të vitit 2021, ku humbën jetën 14 persona. Në seancën e fundit më 27 dhjetor të vitit 2022, përfaqësuesit e Prokurorisë Themelore Publike Tetovë në Gjykatë i kanë prezantuar titujt e provave shkresore që janë dorëzuar me aktakuzë, ndërsa sot është planifikuar që të ketë prova verbale nga dëshmitarët të cilët janë me propozim të prokurorëve.
Gjykimi për zjarrin e ndodhur më 8 shtator të vitit 2021, ku humbën jetën 14 persona ndërsa dhjetëra u lënduan filloi më 7 dhjetor të vitit 2022, pasi nga shtatori i vitit 2022 deri atëherë gjykimi u shty disa herë.
Të akuzuarit, drejtorët Florin Besimi dhe Artan Etemi, mjeku Boban Vuçevski dhe përfaqësuesi i Spitalit klinik të Tetovës si person juridik, në fillim të gjykimit theksuan se e kuptojnë akuzën, por nuk e pranojnë fajësinë dhe se nuk i kanë kryer veprat për të cilat akuzohen.