LajmeMaqedoni

Osmani: Duhet të ndalojë agresioni kundër popullit ukrainas

Kryesuesi i OSBE-së, Bujar Osmani, në kuadër të vizitës së sotme në Ukrainë, ka vizituar qytetin Borodianka në rajonin e Kievit, i cili është i prekur rëndë nga aksionet ushtarake. Në fillim të vizitës, Osmani shprehu keqardhjen për të gjitha viktimat e pafajshme dhe mijëra ukrainasit, të cilët u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre për t’iu shmangur pasojave shkatërruese të agresionit ushtarak rus, njoftojnë nga MPJ.

“Të gjithë ne që mbështesim Ukrainën jemi në anën e duhur të historisë, në anën e duhur të njerëzimit, duke respektuar të drejtën për jetë”, tha Osmani.

Nga MPJ theksojnë vizita në terren u zhvillua mes rrënojave, banesave dhe institucioneve të shkatërruara.

“Nga aksionet ushtarake të Rusisë u dëmtuan shkolla, spitale dhe infrastruktura tjetër shtetërore, që fatkeqësisht vazhdon të dëmtohet apo madje të shkatërrohet tërësisht”, ka theksuar Osmani.

Njëherit, Kryesuesi i OSBE-së dënoi sulmin në një ndërtesë banimi në Dnipro, ku dy ditë më parë humbën jetën më shumë se 40 persona dhe u plagosën më shumë se 70 të tjerë. “Nuk ka asnjë justifikim nëse objektivat civile granatohen vazhdimisht. Asgjë nuk mund të justifikojë vrasjen e civilëve, pengimin e transportit të ujit dhe ushqimit, pengimin e punës së konvojëve humanitarë. Asgjë nuk mund të justifikojë kur fëmijët dhe gratë shtatzëna mbeten pa ngrohje, pa ushqim të mjaftueshëm”, tha Osmani.

“Agresioni i paprovokuar është shkelje e të drejtës ndërkombëtare, kërcënim potencial për rajonin, por edhe një burim frike dhe pasigurie për të gjithë botën”, Osmani kështu theksoi se Organizata do t’i përdorë të gjitha mekanizmat dhe mjetet për të ndihmuar në përpjekjet për t’i dhënë fund, siç tha ai, vuajtjeve dhe shkatërrimit.

“Shkretimi i qytetit nga agresioni ushtarak kundër Ukrainës më trondit thellë. Shkatërrimi i infrastrukturës jetike dhe vuajtja e popullit ukrainas duhet të ndalet. Nevojitet veprim urgjent për t’i dhënë fund kësaj çmendurie dhe për t’u ofruar ndihmë atyre në nevojë. Duhet të punojmë për t’i dhënë fund vuajtjeve dhe më pas të rindërtojmë këto zona të shkatërruara”, tha Kryesuesi i OSBE-së./Telegrafi/

Show More

Related Articles

Back to top button