Në zyrën e saj Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, i dorëzoi ambasadorit britanik Alastair King Smith notën verbale pas deklaratave të Ministrit të Shtetit për Imigrimin Robert Jenrick, ndaj shqiptarëve.
Dy ditë më parë ai kërkoi dëbimin e emigrantëve shqiptarë duke i quajtur ata jo vetëm të paligjshëm, por edhe kriminelë të rrezikshëm të dënuar për drogë. Kjo deklaratë e Robert Jenrick u cilësua nga Olta Xhaçka si një gjuhë urrejtje dhe diskriminuese ndaj shqiptarëve, për të cilën sot shefja e diplomacisë shqiptarë i dërgoi një notë verbale qeverisë britanike.
OLTA XHAÇKA
MINISTRE E JASHTME
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme kërkon shmangien e kësaj gjuhe urrejtjeje dhe diskriminimi dhe vijimin e dialogut edhe bashkëpunimit konstruktiv për të vënë në jetë angazhimet e ndërmarra së bashku si dy vende demokratike, partnere e aleate në organizmat ndërkombëtare.”
Në reagimin e saj, Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka thekson se retorika e përsëritur ndaj emigrantëve shqiptarë atje cënon bashkëpunimin e mirë mes dy vendeve.
OLTA XHAÇKA
MINISTRE E JASHTME
“Kjo retorikë e përsëritur cenon frymën pozitive të bashkëpunimit bilateral të konfirmuar në Deklaratën e Përbashkët mes Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë Edi Rama dhe Kryeministrit Britanik Rishi Sunak, në të cilën ndër të tjera ndahet vlerësimi i përbashkët për rolin e diasporës shqiptare në Britaninë e Madhe dhe kontributin e saj të rëndësishëm në kulturën, ekonominë dhe shoqërinë e të dy vendeve.”
Prej kohësh emigrantët shqiptarë mbeten në qendër të vëmendjes së deklaratave të përfaqësuesve të qeverisë britanike. E para ishte Sekretarja e Brendshme, Suella Braverman, që i quajti ata kriminelë. Deklaratës së saj kryeministri Edi Rama iu përgjigj se ato bëhen vetëm për qëllime elektorale pasi qeveria e Londrës ka dështuar me politikat e saj për emigracionin.