VMRO-DPMNE nuk zbulon detaje rreth votimit të mundshëm të mosbesimit ndaj Qeverisë. Lideri i partisë Hristijan Mickoski, para pak kohësh paralajmëroi se në fund të muajit, ose në fillim të shkurtit do të votohet interpelanca e Qeverisë. Për këtë synim Mickoski tha se pret mbështetjen edhe të disa deputetëve të inkurajuar për rrëzimin e qeverisë. Kërkesën për interpelancë e ka përsëritur edhe deputeti Antonio Milloshoski, por nga partia nuk kanë dhënë detaje.
“Ajo që mund të them është se të gjitha mjetet demokratike, përfshirë edhe interpelancën, janë në lojë për momentin”, tha Naum Stoilkovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.
Të paktën na tregoni një periudhë kohore.
“Nuk mund t’ju them asgjë më shumë”, përgjigjet shkurt Stoillkovski.
Në lidhje me mundësinë që deputetët e LSDM-së dhe BDI-së të japin mbështetje për mosbesimin e Qeverisë, nga Qeveria paraprakisht u përgjigjën se këto janë gënjeshtra të përhapura nga opozita, dhe se zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të mbahen në vitin 2024. BDI-ja po ashtu ka theksuar se këtë vit nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme. Edhe nga Aleanca për Shqiptarët, besojnë se prioritet tani për tani janë integrimi evropian, gjegjësisht ndryshimet kushtetuese dhe më pas zgjedhjet. Në të njëjtën linjë me VMRO-DPMNE-në, të paktën publikisht, tani për tani është vetëm Lëvizja BESA e Bilal Kasamit.
VMRO-DPMNE edhe më herët ka paraqitur mocion mosbesimi ndaj Qeverisë në fund të vitit 2021, por nuk ka marrë 61 votat e nevojshme në Kuvend. Pavarësisht se partia thoshte se është formuar një shumicë e re parlamentare, mungoi vota e deputetit Kastriot Rexhepi. /Alsat.mk