LajmeMaqedoni

Petrovska: Akademia ushtarake mbetet një prioritet si pjesë thelbësore e sistemit të mbrojtjes

Zhvillimi i Akademisë Ushtarake mbetet një nga prioritetet e Ministrisë së Mbrojtjes, sepse këtu krijohen liderët e ardhshëm të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Akademia është pjesë thelbësore e sistemit të mbrojtjes së vendit dhe prandaj duhet të vazhdojmë ta zhvillojmë bashkërisht, tha ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska gjatë vizitës së sotme në Akademinë Ushtarake “Gjeneral Mihajlo Apostolski”, ku u takua me dekanin, kolonel Mitko Bogdanoski, me stafin akademik dhe një pjesë të kadetëve të Akademisë.

Siç informon Ministria e Mbrojtjes, në takimin me dekanin e Akademisë, kolonelin Bogdanoski, ministrja është njoftuar për aktivitetet në vitin 2022 dhe për planet për vitin aktual. Kolonel Bogdanoski informoi edhe për akreditimin e programeve studimore për ciklin e dytë të studimeve në periudhën 2022-2027 dhe riakreditimin e programeve studimore për ciklin e parë të studimeve.

Ministrja Petrovska gjatë vizitës bisedoi edhe me disa nga kadetët e Akademisë Ushtarake, të cilëve u tha që të jenë aktivë, të zhvillojnë aftësitë dhe njohuritë e tyre, sepse ata janë oficerët e ardhshëm të Armatës së Maqedonisë dhe prej tyre varet se si Armata do të zhvillohet në vitet në vijim.

“Në Akademi ligjërojnë profesorë me përvojë dhe detyra juaj është ta përthithni atë njohuri dhe të mendoni si oficerët e ardhshëm të NATO-s. Shfrytëzoni të gjitha mundësitë që ofron Akademia Ushtarake, rrethohuni me kolegët tuaj nga vendet anëtare të NATO-s dhe tregoni se Maqedonia e Veriut ka oficerë që mund të qëndrojnë krah për krah me oficerët e ushtrive të tjera të NATO-s”, tha ministrja në takimin joformal me kadetët.

Akademia Ushtarake është një institucion i arsimit të lartë që trajnon kuadro për mbrojtjen dhe Armatën, për menaxhimin e krizave dhe sistemin e mbrojtjes dhe shpëtimit. Akademia organizon edukim për të gjitha ciklet e studimit dhe stafi mësimdhënës merr pjesë vazhdimisht në projekte kërkimore ndërkombëtare, konferenca dhe punëtori. Përveç nevojave të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, akademia trajnon edhe kadetë nga Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina dhe Kosova.

Show More

Related Articles

Back to top button