GostivarLajme

Gostivar, gjatë vitit 2022 çdo e treta ditë ka rezultuar me ajër të ndotur

100 ditë ndotje në total, apo çdo të tretën ditë vitin e kaluar Gostivari e ka patur me ajër të ndotur. 22 ditë kanë rezultuar me ndotje ekstreme të lartë ku grimcat e dëmshme kancerogjene PM 10 dhe PM 2.5 kanë qenë shumëfish mbi normën e lejuar. Zudi Xhelili, drejtues i Departamentit për Ekologji pranë Komunës së Gostivarit, thotë se të dhënat që dalin nga vrojtimi i stacioneve matëse, tregojnë se ndotja arrin kulmin në periudhën e ngrohjes.

“Është e vërtetë se në fund të vitit apo në fillim të vitit të ri kishte një ndotje ekstreme në disa qytete, por edhe në qytetin tonë. Sipas të gjithas analizave që i kemi bërë ne, unë kam ardhur në përfundim se kjo ndotje kaq e madhe ka të bëjë edhe me paralajmërimin që e bëri Qeveria, zyrtarë të ndryshëm por edhe njerëz nga rajoni se do të kemi një dimër shumë të rëndë për shkak të krizës energjetike. Qytetarët me të madhe filluan të furnizohen me dru dhe karburantet siç janë nafta dhe mazuti për tu ngrohur, kjo erdhi nga droja se nuk do të ketë rrymë dhe për të siguruar ngrohje për dimër. Ky panik që u bë se do të kemi mungesë të energjisë elektrike, bëri që më tepër qytetarë sivjet të ngrohen me dru kurse druri emiten grimca ndotëse dhe oxhaqet e shtëpive sivjet kanë qenë më aktiv se vitet e tjera”, deklaron Zudi Xhelili, drejtues i Departamentit për Ekologji pranë Komunës së Gostivarit.

Xhelili thotë se ndotësit më të mëdhenj të Gostivarit janë amvisëritë, automjetet dhe industria. Te kjo e fundit ku bëjnë pjesë fabrikat, disa prej tyre janë ndotës shumë të mëdhenj, por edhe pse u është tërherqur vërejtja, jo të gjitha kanë marrë masat e nevojshme.

“Në qytetin tonë kemi pesë ndërmarrje apo kompani që janë të furnizuar me liçenca ‘A’ eklologjike dhe ato vazhdimisht përmes oxhaqeve të tyre e ndotin ajrin, ndoshta në sasi të lejuar, mirëpo ato oxhaqe janë aktive dhe e ndotin ajrin, siç është: Vardar Dollomit, Tullana, Progres 98, Pellagonia. Të gjitha kanë baza asfalti dhe zakonisht ato kanë oxhqe dhe bëjnë ndotjen e ajrit. Kemi edhe 12 kompani të tjera që janë me leje ekologjike ‘B’ ku bëjnë pjesë guroret dhe ato ndotin ajrin vetëm në periudhat verore pasi atëherë janë më aktiv dhe ndaj tyre ne si komunë kemi kompetenca t’i kontrollojmë dhe kemi marrë një sërë masash që ata të mbajnë llogari për zvogëlimin e ndotjes”, deklaron Zudi Xhelili, drejtues i Departamentit për Ekologji pranë Komunës së Gostivarit.

Janë rreth 20 masa që komune e Gostivarit plabifikon ti implementojë gjatë këtij viti për uljen e ndotjes, ndërsa për t’u miratuar të njejtat buxheti për ekologji nga katër milion denarë vitin e kaluar, sivjet është rritur në 14 milionë.

“Për herë të parë komuna e Gostivarit ka një plan për uljen e ndotjes së ajrit dhe plani ka diku mbi 20 masa mbrojtëse që ne të njejtat i kemi vendosur në programë dhe ato masa kanë të bëjnë me efikasitetin energjetik, zëvendësimin e sistemeve të reagensave fosile siç janë nafta, mazuti, zëvendësimin e sistemeve të vjetëruara me panele solare, me pompa ajri dhe kemi paraparë që të gjitha këto veprimtari t’i subvencionojmë duke vazhduar me subvencionimin e qytetarëve për biçikleta, subvencionimin e qytetarëve për inverter, etj. Pra, janë diku rreth 20 masa të cilat e kanë rritur edhe buxhetin dukshëm dhe ai për vitin 2023 është diku 14 milionë denarë, prej të cilave 7 milionë denarë janë paraparë nga burimet tjera, disa prej të cilave i kemi siguruar dhe 7 milionë denarë do të jenë nga buxheti komunal”, deklaron Zudi Xhelili, drejtues i Departamentit për Ekologji pranë Komunës së Gostivarit.

Xhelili shpreson që edhe përmes një projekti me UNDP-në do të kontribuojnë shumë në uljen e ndotjes në Gostivar, pasi shumë institucione nga ngrohja me naftë ose mazut, do të kalojnë në pompa ajri dhe vendosjen e fotovoltaikëve për ngrohje. Për t’u siguruar se nga vjen ndotja nga këto institucione, do të kryhet edhe një hulumtim nga Universiteti i Shtipit.

Ndryshe, në drejtim të parandalimit të ndotjes, Komuna e Gostivarit edhe sivjet do të subvencionojë blerjen e biçikletave dhe inverterëve.

Show More

Related Articles

Back to top button