GostivarLajme

Vendime pune për 15 punëtor të N.P “Komunalec”/ Taravari: Jemi komuna me më pak punësime

15 punonjës të ndërmarrjes publike “Komunalec” në Gostivar kanë marrë vendime të përhershme pune. Kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari tha se nuk bëhet fjalë për punësime të reja dhe se këto vendime janë paraparë me sistematizimin e ri. Ai tha se Komuna e Gostivarit për pesë vite sa udhëhiqet nga ai, ka pasur më pak punësime se çdo komunë tjetër. Taravari tha se me këto vendime nuk rëndohet buxheti, pasi numri i të punësuarve në atë ndërmarrje vazhdon të mbetet i njejtë.

“Për pesë vite të qeverisjes sonë në Komunën e Gostivarit, në dy ndërmarrjet publike ne si komunë kemi vlerësuar se nuk ka hapësir për t’u rritur numri i të punësuarve dhe nuk ka pasur asnjë punësim, pra për pesë vite zero punësime. Tash me sistematizimin e ri kishim hapësir për të dhënë 15 vendime për të punësuarit aty në ndërmarrjen publike ‘Komunalec’ dhe kështu 15 punonjës kanë marrë 15 vendime. Ishte vendim i udhëheqësisë komunal dhe ndërmarrjes ‘Komunalec’. Me këtë, nuk mendoj se e kemi dëmtuar diçka buxhetin, nuk mendoj se ka pasur keqpërdorim së paku nga ana e Komunës së Gostivarit. Nëse ka komunë që ka bërë më së paku punësime prej të gjitha komunave në RMV, ju garatojë se numri më i vogël i të punësuarve në institucionet që udhëhiqen nga pushteti lokal, është në komunën tonë”, deklaron kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari.

Sipas Taravari në institucionet lokale për pesë vite qeverisje janë dhënë diku rreth 60 vendime pune.

“Në komunë për pesë vite kemi dhënë diku 25 vendime dhe tash në ‘Komunalec’ 15. Gjithsej së bashku me zjarrfikësit, për këto pesë vite nuk kemi dhënë më shumë se 50 apo 60 vendime në të gjitha institucionet që udhëhiqen prej pushtetit lokal”, deklaron kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari.

Vendimet në “Komunalec” tha se kanë qenë të parapara me sistematizim para se ai të merr pushtetin lokal në Gostivar.

“Nuk janë punësime të reja, janë punësime të cilat kanë qenë të planifikuara vite me radhë para se të vijmë ne në pushtet”, tha kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari.

Në ndërmarrjen “Komunalec” pritet të jepen edhe vendime të tjera gjatë këtij viti në bazë të sistematizimit.

Show More

Related Articles

Back to top button