Shkup, 8 qershor – Këshilli Gjyqësor në lëndën “Talir 2” e shpalli fajtor ish-kryeministrin dhe liderin e VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski dhe e dënoi me burg prej gjashtë vjet për veprën penale keqpërdorim të pozitës zyrtare. Fajtor është shpallur edhe Kiril Bozhinovski, të cilin gjykata e dënoi me dy vite burg me kusht.
Njëherësh, gjykata e pranoi edhe propozimin e prokurorisë dhe e konfiskoi selinë e partisë politike VMRO-DPMNE-së dhe shumë shtabe partiake përgjatë shtetit.
Gjykimin e udhëheqë, Daniella Aleksovska Stojanovska, ndërsa përfaqësues i aktakuzës është prokurori publik Lubomir Llape.
Gruevski dhe Bozhinovski akuzoheshin për keqpërdorimin e pozitës zyrtare, me ç’rast kanë mundësuar personi juridik “Beton” SHA Shkup, ta ndërtojë selinë e partisë politike VMRO-DPMNE, në kohën kur kompania ka pasur marrëveshje të dakorduara për furnizime publike me organe shtetërore dhe institucione publike apo ndërmarrje, në kundërshtim me Ligjin për parti politike, Ligjin për financimin e partive politike dhe Ligjin për marrëdhënie obligative.