Një delegacion i Kuvendit, i përbërë nga Darko Kaevski, Arta Bilalli Zendeli dhe Aleksandar Nikolloski do të marrin pjesë në sesionin dimëror të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, që mbahet në Strasburg nga 23 deri 27 janar, kumtoi pres shërbimi i Kuvendit.
Në fillim të sesionit, deputetët do të zgjedhin kryetarin dhe nënkryetarët e Asamblesë Parlamentare. Edhe këtë vit Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut i takon vendi i nënkryetarit dhe funksioni, si deri më tani, do ta ushtrojë shefi i delegacionit, Darko Kaevski.
Fokusi i sesionit do të jetë në luftën kundër dhunës ndaj grave, me diskutim fillestar mbi dhunën seksuale të lidhur me konfliktet, të ndjekur nga debati mbi Konventën e Stambollit, mbi rolin dhe përgjegjësinë e burrave dhe djemve për t’i dhënë fund dhunës me bazë gjinore ndaj grave dhe vajzave, dhe në gjetjen e zgjidhjeve për skllavërinë bashkëshortore.
Tema të tjera në agjendë do të përfshijnë: ndikimin e konfliktit të armatosur në mjedisin jetësor, luftëtarët e huaj të DEASH-it dhe familjet e tyre që kthehen nga Siria dhe vendet tjera, dhe sfidat etike, kulturore dhe arsimore të ndjekjes së aplikacioneve.
Rendi i ditës së sesionit parashikon edhe mbajtjen e debatit urgjent për “Të drejtat e njeriut dhe aspektet juridike të agresionit të Federatës Ruse kundër Ukrainës, me pjesëmarrjen e Oleksandra Matviçuk, udhëheqëse e Qendrës për Liritë Civile dhe laureate e Çmimit Nobel për Paqe për 2022.
Para deputetëve të Asamblesë Parlamentare, fjalime do të mhajnë kryeministrja e Islandës, Katrin Jakobsdotir dhe ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Analena Baerbok. Sekretarja e përgjithshme e Këshillit të Evropës, Marija Pejçinoviq Buriq, do të prezantojë komunikimin e saj përpara deputetëve të APKE-së dhe do t’u përgjigjet pyetjeve të tyre.
Gjatë sesionit, përkatësisht më 24 janar, dita ndërkombëtare e kujtimit të viktimave të Holokaustit do të shënohet me një përkujtim.