Partia Demokratike e drejtuar nga Sali Berisha ka nënshkruar sot marrëveshje për aleancë me Partinë e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut e Vangjel Dules që mbështet minoritetin grek në Shqipëri për zgjedhje vendore të 14 majit.
Në një ceremoni ku morën pjesë krerët e dy partive, PD angazhohet përmes marrëveshjes së koalicionit që të mbështesë kandidatët e PBDNJ në bashkitë Himarë, Dropull dhe Finiq, ndërsa kjo e fundit do të dalë në krah të PD në të gjitha zonat e tjera zgjedhore.
Sali Berisha e cilësoi si një marrëveshje koalicionin normale atë me PBDNJ, e cila sipas tij vjen në një kohë të vështirë që ka si synim të largojë atë që ai e quan regjimin e Edi Ramës.
“Kënaqi për këtë marrëveshje me një aleat të hershëm të PD me të cilën ne vendosim të bëjmë një betejë kundër monizmit të plotë, të vendosur nga regjimi më i korruptuar në Europë nga Edi Rama. Përmbysja e këtij monizmi është përparësi absolute e çdo qytetari të lirë, çdo opozitari. Ne së bashku me PBDNJ, Omonian bashkojmë forcat me bindjen se më 14 maj do t’i japim një goditje fatale sistemit monist, por ne synojmë t’u kthejmë bashkitë qytetarëve shqiptarë”, tha Berisha.
Edhe kreu i PBDNJ, Dule shprehu kënaqësinë për arritjen e këtij kompromisi, duke u angazhuar për të dërguar para qytetarëve kandidatët më të denjë për drejtimin e bashkive.
“Kënaqësi për nënshkrimin e marrëveshje me opozitën e bashkuar për zgjedhjet e 14 majit. Është një bashkëpunim i hershëm me PD dhe i suksesshëm si në opozitë dhe qeverisë. Do të veçojë bashkëpunimin 2005-2009. Me këtë marrëveshje synojmë që komuniteteve t’i sjellim kandidaturat më të denja. Primaret e PD ishin një rësi dhe një realitet i pakthyeshëm”, u shpreh Dule.