Një stuhi e fuqishme u përplas mbi zonat e Gjirit Amerikan, duke sjellë me vete një tornado që mbolli shkatërrim në lindje të qytetit të Hjustonit, në Teksas.
Tornadoja preku tokën të martën pasdite, e më pas u nis drejt qytetit Beitaun, rreth 40 kilometra në lindje të Hjustonit, ku shkaktoi dëme në rrjetin elektrik, në banesa e biznese, por nuk pati njoftime për lëndime serioze mes popullatës.
Pamjet e transmetuara nga mediet vendase, tregojnë dëme në ndërtesa dhe shtylla elektrike në Pasadena, në juglindje të Hjustonit. Rreth 123,000 familje të Teksasit, kishin mbetur pa energji elektrike, kryesisht në zonën e Hjustonit dhe përreth tij. Shkollat u mbyllën të martën dhe të mërkurën në të gjithë Oklahomën.
Stuhia solli me vete gjithashtu borë e akull në pjesën më të madhe të rajoneve bregdetare të vendit.
Ky zhvillim shënon vetëm fillimin e asaj që pritet të jetë një ditë stuhish të fuqishme në bregun e Gjirit amerikan.
Qendra e Parashikimit të Stuhive në Norman të Oklahomës, njoftoi se zonat të tëra bregdetare mund të preken nga tornado, erëra të forta dhe breshër.