Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç ka thënë se Asociacioni i komunave serbe mbetet pika kryesore e të gjitha marrëveshjeve të Serbisë me Kosovën. Sipas tij, Asociacioni duhet të formohet sipas parimeve të dakorduara, të mbështetura nga nënshkrimet e tri palëve.
“Në marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 shkruhet qartë se çfarë është AKS, është e rregulluar edhe më hollësisht në marrëveshjen e vitit 2015 dhe ne e kemi nënshkruar sepse është mirë për komunitetin tonë në Kosovë”, ka thënë Daçiq për “Politika”.
Ai thotë se marrëveshja nuk është ideale, por është maksimumi që Serbia mund të arrijë në këtë drejtim.
“Marrëveshja nuk është ideale, por në kushtet në të cilat e kemi negociuar është maksimumi që mund të arrijmë. Këto janë marrëveshje që vendosin të gjitha levat e menaxhimit në duart e popullatës sonë, nga ekonomia, zhvillimi, arsimi, shëndetësia, sigurimit dhe policisë”, ka shtuar Daçiç.
Ai u shpreh se këto marrëveshje janë kurora e pjesëmarrjes së Serbisë në dialog me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Sipas tij, asnjëherë nuk ka pasur arsye për të mos zbatuar marrëveshjen për Asociacionin.
“AKS-ja (Asociacioni) mbetet pika kryesore e të gjitha marrëveshjeve tona për Kosovën”, ka theksuar Daçiç.