Zona industriale në Tetovë është marrë nga koncesioneri aktual në mënyrë jo ligjore. Kështu ka konstatuar Komisioni për Antikorrupsion. Pas shqyrtimit të dokumenteve, Antikorrupsioni thotë se janë hasur një sërë parregullsish. Sipas Katica Nikollovskës gjatë analizës së dokumenteve të Qeverisë, Avokatit të Shtetit dhe institucioneve të tjera kompetente, nuk janë përputhur njëra me tjetrën.
“Dolën indicie se vendimi për ndarjen e marrëveshjes për TIRZ-in në Tetovë për shfrytëzuesin aktual është marrë në gjendje ku ka pasur konflikt interesash nga personi i cili ka marrë pjesë në marrjen e vendimit si anëtar i Bordit drejtues dhe anëtar i komisionit, më tej se procesverbali i zgjedhjes së koncesionerit, i dorëzuar për miratim në Qeveri është ndryshe nga procesverbali që e ka përgatitur komisioni i cili ka vepruar, se nuk përputhen nenet që janë nënshkruar në njërin procesverbal dhe në tjetrin”, u shpreh Katica Nikollovska, anëtare e Anti Korrupsionit.
Nikollovska thotë se vetë shfrytëzuesi aktual i TIRZ-it ka marrë pjesë në ndryshimin e ligjit për koncesione, gjë që fletë se janë krijuar dispozita ku jepen mundësi preferenciale për marrjen e koncesionit. Ajo shton se Ligj i cili përpilohet nga persona ku ka konflikt të interesave me ndikim, lobim, çon në shkeljen e Ligjit për parandalimin e korrupsionit dhe konflikt të interesave. Nga Anti Korrupsioni thonë se joligjore është edhe kontrata për afatin e dhënies në koncesion të Zonës industriale në Tetovë.
“Por ajo që ne tani do ta kërkojmë nga Qeveria, është që edhe Enti shtetëror për revizion në raportin e vet e ka konstatuar se është joligjor afati i parashikuar për shfrytëzim në vetë marrëveshje. Ligji për Koncesione parashikon shfrytëzim maksimal në afat prej 35 viteve, kjo është marrëveshje për 97 vite respektivisht përjetësisht. Ne do të kërkojmë nga Qeveria fillimisht ta korrigjoj marrëveshjen për afatin e përdorimin e do të shohim si do të veprojnë më tej edhe institucionet tjera”, shtoi ajo.
Nga Antikorrupsioni paralajmërojnë se dëshmitë do t’i dorëzojnë në Qeveri, te Avokati i Shtetit dhe në Prokurori dhe presin që të veprojnë. Nikollovska thotë se Prokuroria duhet të vendos nëse do të veprojë për falsifikimin e dokumenteve, ndërsa Avokati i Shtetit duhet të konfirmojë dëshmitë dhe të vendos nëse duhet të prishet kontrata me koncesionerin./Alsat.mk