Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në një intervistë për “Radion Evropa e Lirë” shprehu keqardhje për vendimin e Sofjes që të tërheqë ambasadorin e saj nga Shkupi, duke nënvizuar se kjo ishte një tërheqje e përkohshme pasi, sipas tij, dialogu është mënyra e vetme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Osmani po ashtu tha se shfaqja e tensioneve midis Shkupit dhe Sofjes, në kohën kur ka zhvillime intensive midis Prishtinës dhe Beogradit, rrit mundësinë për ndikimin e faktorëve destruktivë, pasi sipas tij, tani ata kanë më shumë hapësirë për të vepruar.
Sipas Osmanit, Rusia është e interesuar dhe vepron në forma të ndryshme që në rajonin e Ballkanit Perëndimor të ketë krizë të përhershme dhe çështje të hapura, pasi në këtë mënyrë, sipas Osmanit, Moska mund të ndikojë në politikat e brendshme të rajonit.
Në pyetjen e gazetarit se cila është prapavija e tërheqjes së ambasadorit bullgar nga Shkupi dhe cili mbetet qëndrimi i dikasterit që përfaqësoni, Osmani tha se shpreh keqardhjen për këtë tërheqje të përkohshme, pra thirrjen për konsultime. Sigurisht se kjo është edhe përkeqësim i raporteve ndërshtetërore dhe arsyet sigurisht se mund t’i merrni atje.
Ne këtu jemi të interesuar që të vazhdojmë dialogun me Republikën e Bullgarisë. Ambasadorët sigurisht se janë instrument kryesor për dialog ndërmjet dy shteteve, ashtu që besoj se ky vendim do të mund të rikthehet dhe të mund të vazhdohet ky dialog. Nëse ky vendim është lidhur me incidentin në fjalë [sulmin fizik të 19 janarit ndaj Hristijan Pendikov, përfaqësuesit të qendrës bullgare ‘Car Boris Treti’ nga Ohri atëherë kujtoj se i njëjti është disproporcional, pasi Maqedonia e Veriut i ka ndërmarrë të gjitha masat për sa i përket këtij incidenti.
Ai ka qenë një rast i izoluar, ku policia menjëherë ka identifikuar kryesit e veprës, ka marrë masa për t’i nxjerrë para ligjit të gjithë të përfshirët. Unë isha në Sofje për të vizituar të lënduarin dhe njëkohësisht për të shprehur keqardhje për këtë incident dhe sigurisht se shteti nuk ka se çfarë të bëjë më tepër, përveç se të krijojë situatë të dënimit ndaj situatave të tilla dhe të krijojë atmosferë të zero tolerancës për gjuhën e urrejtjes dhe për krimet që bazohen në gjuhën e urrejtjes.
Shikoni, edhe konteksti është i tillë. Kemi zgjedhje në Bullgari, kemi një situatë politike të tensionuar këtu, dhe ajo që theksova, zona e gjakut të provokatorëve, dhunuesve dhe përfituesve politikë tani është aktive dhe secili tenton që nga kjo situatë të përfitojë diçka. Unë mendoj që mënyra më e lehtë është të ndiqet opinioni i përgjithshëm dhe të merren vendime emocionale.
Por, unë mendoj se roli im është që të ruaj raportet tona me Bashkimin Evropian, shtetet e BE-së, të ruaj imazhin e shtetit dhe të ruaj perspektivën evropiane të vendit, natyrisht duke mbrojtur interesat e të gjithë popujve dhe njerëzve që jetojnë këtu.
Unë kujtoj se kjo është e vetmja mënyrë dhe absolutisht nuk do të zmbrapsemi nga kjo strategji pavarësisht presioneve, fushatave të linçimeve publike që bëhen, pasi kjo pak flet edhe në vete për një atmosferë në të cilën jetojnë dhe veprojnë jo vetëm shoqëria në përgjithësi, por edhe njerëzit dhe individët./REL/