Europa është në prag të një katastrofe ujore, për shkak të tharjes së rezervave nënujore në Europën Qendrore. Gjatë muajve të verës të 2018-s dhe 2019-s, pati mungesë të theksuar uji në këtë pjesë të Europës. Që prej asaj kohe, nuk ka pasur rritje domethënëse të nivelit të ujit nëntokë, që ka vijuar të mbetet i ulët.
Një studim i ri zbulon se thatësia po dëmton habitatet natyrale, duke prekur agrikulturën dhe duke krijuar probleme të mëdha me furnizimin me energji elektrike. Efektet e kësaj thatësire të zgjatur në kohë ishin të dukshme në Europë gjatë verës së 2022-t.
Shtretërit e tharë të lumenjve dhe zhdukja dalëngadalë e ujërave të ndenjur, ndikojnë si tek natyra ashtu edhe tek njerëzit. Shumë specie ujore humbën habitatet e tyre, ndërsa toka e tharë shkaktoi shumë probleme në agrikulturë.
Si pasojë edhe mungesa e energjisë në Europë u përkeqësua. Pa sasi të mjaftueshme të ujit për ftohje, termocentralet bërthamore në Francë hasën vështirësi për të prodhuar energji elektrike të mjaftueshme. Hidrocentralet po ashtu kanë pasur vështirësi për të përmbushur funksionin e tyre për shkak të mungesës së ujit.
Për të mbledhur të dhënat, grupi i ekspertëve përdorën imazhet satelitore për të observuar burimet nëntokësore ujore dhe dokumentuan ndryshimet përgjatë viteve. Ata përdorën satelitë binjakë që orbitojnë tokën, në një orbitë polare me një lartësi prej vetëm 490 kilometrash. Ata sigurojnë të dhëna të masës në tërësi, nga ku më pas nxirren ndryshimet në liqene e lumenj. Nxirren po ashtu të dhënat për lagështinë e tokës, borës dhe akullit dhe më në fund mbeten vetëm ujërat nëntokësore.
Të dhënat treguan se situata e ujit në Europë tashmë ka arritur në një pikë të pasigurt. “Disa vite më parë, nuk do ta kisha imagjinuar kurrë që uji do të kthehej në problem në Europë, sidomos në vende si Gjermania apo Austria. Aktualisht po hasim probleme me furnizimin me ujë këtu, ndaj dhe duhet të mendojmë për këtë”, tha Dr Torsten Mayer-Gürr, profesor në universitetin e Teknologjisë në Graz të Austrisë.
Studimi u publikua në revistën shkencore Geophysical Research Letters dhe u përcoll nga britanikja The Independent./tvklan.al