Nga evenimenti Konferenca vjetore “Viti i mundësive të reja” organizuar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi deklaroi se me politikat e qeverisë dëshmuan se vendi është orientuar drejt një frymë pro Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Grubi theksoi se nuk lejuan instalimin e një shumicë parlamentare të varur nga Moska, por punuan drejt realizimit të premtimeve të dhëna ndaj qytetarëve, për një jetë sa më të mirë me siguri dhe stabilitet.
“Një vit më parë thashë se kryefjala e 100 ditëve të para të qeverisë sonë është stabiliteti. Të gjitha të tjerat i tha Kryeministri dhe nuk dua që të përsëritem, por dua të shpreh disa pozicione politike në lidhje me aktualitetin shoqëror. U rizgjodhëm pas përpjekjes së dështuar në Parlament për të penguar fillimin e negociatave me Bashkimin Europian me motive për të zhytur vendin tonë në paparashikueshmëri. Nuk lejuam instalimin e një shumice parlamentare të varur nga Moska që do të zgjidhte një qeveri kukull në shërbim të dikujt tjetër dhe jo të qytetarëve. Këto përpjekje nuk ndaluan. Kërcënimet e këtilla janë përditshmëri e qeverisë sonë, por kjo nuk na dekurajon. Përkundrazi, na forcon edhe më shumë për të realizuar atë që ua premtuam qytetarëve, barazi, zhvillim, integrim, paqe, siguri dhe stabilitet”, deklaroi Grubi.