Kryetari i Komunës së Gostivarit Arben Taravari, ka pritur në takim karateistët Isa Elmazi dhe Doan Osmani, i pari kampion ballkanin në kategorinë ekipore junior në turneun në Beograd; dhe i dyti kampion ballkanik në kategorinë ekipore senior, poashtu në turneun në Beograd. Të shoqëruar nga Arlind Useini trajneri i tyre dhe i klubit “Fati” nga Tetova, ata janë dekoruar me mirënjohje nga kryetari Taravari, ndërsa u është ndarë vauçer prej 100 eurove.
Arlind Useini trajneri i klubit të karatesë “Fati”, thekson se Gostivari gjithmonë ka nxjerrë karateistë kampion. Ai tha se pas Berat Jakupit, Doan Osmani dhe Isa Elmazi tani janë ardhmëria e karatesë në vendin tonë.
Kryetari Taravari ka pritur në takim dhe ka dekoruar me mirënjohje edhe Mirko Petreskin, ish basketbollist nga Gostivari, i cili aktualisht është pjesë e udhëheqësisë së klubit basketbollistik “Bursaspor” në Republikën e Turqisë.
Petreski pasi ka falenderuar kryetarin Taravari për mikëpritjen, tha se skuadra e “Bursaspor” bën histori në basketboll, edhe pse si klub është i ri.
“Dua fillimisht të falenderojë kryetarin për mikëpritjen. Nuk është një rezultat i përditshëm dhe për ne në Maqedoni dhe Gostivarin, është rezultat vërtetë i mirë, pasi vetë pjesëmarrja në Eurokupë me ekipe më të fuqishme financiarisht nga ne, ne arritëm deri në finale të cilën e humbëm nga ‘Virtus Bolonja’, ekipë që 10 vite merr pjesë në Euro Ligë. Ky ishte vërtetë rezultat i mirë për ‘Bursa Spor’ pasi ka vetëm tre vite në Ligën e Parë. Pos pjesëmarrjes në Eurokupë, arritëm të sigurojmë pjesëmarrje edhe në ligën e Turqisë ku pjesëmarrës janë vetëm tetë ekipe më të mira. E gjithë kjo është një histori tanimë e shkruar për klubin”, deklaroi Mirko Petreskin, ish basketbollist nga Gostivari.
Në fund të takimit, Petreski kryetarit Taravari i dhuroi fanellën e klubit të basketbollit “Bursaspor”.