GostivarLajme

Qeni endacak sulmon 11 vjeçaren në Vrapçisht

Një vajzë 11 vjeçare duke u kthyer nga shkolla për në shtëpi, është sulmuar nga një qen endacak. Rasti ka ndodhur para shkollës fillore të fshatit Vrapçisht, prej ku e mitura me lëndime trupore ka përfunduar në spital. Rasti është denoncuar edhe në polici nga ana e babait të 11 vjeçares, Hakan Karabatak, i cili është mësimdhënës në shkollën e Vrapçishtit. 41 vjeçari thotë se i njejti qen për kohë të shkurtër ka kafshuar edhe nxënës tjerë por edhe persona të rritur. Karabatak bën apel që organet kompetente të marrin masa urgjente derisa nuk ka ndodhur ndonjë tragjedi, pasi siç ai thotë, qeni është i një race mjaft të rrezikshme.

“Dje vajza ime duke dalur nga shkolla rreth orës 13:00 dhe duke u kthyer për në shtëpi, sulmohet nga një qen. Pasi bëhet fjalë për një qen të një race të rrezikshme, ai nuk kursen asnjë, kështu edhe vajzën time e ka kafshuar te këmba e djathtë. Si baba, unë u shqetësova dhe vajzën menjëherë e dërgova në spital ku iu dha trajtimi i nevojshëm mjekësor. Patsaj unë shkova te shefi i policisë nga ku pas deklaratës që bëra, më thanë se ekipet e tyre do të dalin në terren, por sot rreth orës 10:40 i njejti qen sërish u pa rreth shkollës. Ky qen nuk e ka sulmuar vetëm vajzën time, por ka sulmuar edhe katër fëmijë të tjerë dhe një grua. Pasi jam mësimdhënës te kjo shkollë, nxënës nga katër-pesë klasa të ndryshme, më thanë se sot i ka shqetësuar edhe ata. E lus komunën të merr masa urgjente sepse ajo duhet të merret me këto çështje dhe si baba shpresojë të më mirëkuptojnë pasi bëhet fjalë për sigurinë e fëmijëve tanë”, deklaron Hakan Karabatak, prind.

11 vjeçarja nuk ka lëndime nga kafshimi i qenit, por shqetësimi është i madh, thotë babai i saj.

“Vajza nuk ka ndonjë rrezik të madh pasi kishte një kafshim të vogël, por gjendja psikologjike e saj nuk është e mirë dhe si do ta kalojë këtë traumë, nuk e di. Lutem edhe një herë që kompetentët të sjellin një zgjidhje urgjente”, deklaron Hakan Karabatak, prind.

Derisa me Karabatak ndodheshim para shkollës së fshatit Vrapçisht, aty pranë kaluan një grup nxënësish dhe një tuf qensh. Fatmirësisht gjithçka kaloi qetë. Ndërkohë, sapo u ndamë nga Karabatak, njëqind metra më larg nga shkolla hasëm qenin që kishte sulmuar vajzën e tij. Metin Zekiri, banorë i kësaj lagje, thotë se ky qen nuk ka kohë të gjatë që ndodhet në lagjen e tyre, por është shumë agresiv. Thotë se ai duhet të jetë sjellë me qen të tjerë nga ndonjë vend tjetër.

“Kemi shumë dëm e rrezik dhe mendoj se qentë duhet t’i largojnë nga këtu. Kjo i takon komunës pasi ne nuk e dimë se nga vijnë këta qen. Besoj se i sjellin nga diku tjetër dhe i lëshojnë këtu te ne”, deklaron Metin Zekiri, banor.

Nga Komuna e Vrapçishtit përmes një bisede telefonike na thanë se kanë marrë masa për largimin e kësaj tufe qensh nga afërsia e shkollës. Thonë se do t’i dërgojnë te stacionari i qenve në Gostivar, pasi ata vetë si komunë nuk kanë hapësir për mbajtje dhe trajtim të qenve endacak.

Ndryshe, përmes një projekti të përbashkët të nëntë komunave të rajonit të Pollogut, pritet të fillojë ndërtimi i një stacionari të përbashkët për qentë endacak. Në këtë rajon bënë pjesë edhe Komuna e Vrapçishtit dhe pikërisht në territorin e saj pritet të ndërtohet stacionari i ri.

Show More

Related Articles

Back to top button