Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, tha se është mirënjohës ndaj palëve të ndryshme që ndanë “pikëpamjet dhe ekspertizat e tyre” për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Ne vazhdojmë të mbështesim zbatimin e të gjitha angazhimeve të marra në dialogun [për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, shkroi Hovenier në Twitter.
Deklarata vjen pas një diskutimi të mbyllur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që u mbajt të martën në Ambasadën amerikane në Prishtinë.
Marrëveshja për formimin e këtij asociacioni është arritur në vitin 2013 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, por ajo nuk është zbatuar kurrë.
Në Prishtinë, zyrtarët thonë se nuk mund të lejojnë formimin e një asociacioni njëetnik me kompetenca ekzekutive, ndërsa në Beograd insistojnë në themelimin e tij.
Në diskutimin e organizuar nga Ambasada amerikane morën pjesë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, liderë të partive politike, pjesëtarë të shoqërisë civile dhe diplomatë.
Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, tha për Radion Evropa e Lirë se pjesëmarrësit diskutuan për kornizën politike dhe ligjore të Asociacionit dhe se “diskutimi ishte interesant”.
“Ka pasur replika dhe mendime të ndryshme, por, në përgjithësi, mendoj se cilësia e bisedimeve ka qenë në nivel të lartë”, tha Rashiq, pa dhënë detaje.
Rashiq, i cili në disa raste ka përsëritur se marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi nuk mund të injorohen, shtoi se të pranishmit në këtë takim ishin “bashkëbisedues relevantë”.
“Ka potencial për bisedime të mëtejshme”, tha ai.
“U fol për një asociacion brenda kornizave të Kushtetutës së Kosovës”
Një pjesëmarrës tjetër në takim nga shoqëria civile tha se gjëja më e rëndësishme gjatë diskutimeve ishte fakti se “gjatë gjithë kohës është folur vetëm për një asociacion brenda kornizave të Kushtetutës së Kosovës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese”.
Duke dashur të mbetet anonim, ai tha për REL-in se takimi ka shkuar në frymë konstruktive, por se “kanë dominuar qëndrime shumë të kundërta”.
“Në pjesën e parë të takimit kanë folur kryesisht përfaqësuesit e komunitetit serb (politikanë, shoqëria civile, zyrtarë institucionalë). Diskutimi ka qenë përmbajtjesor, në kuptimin që është folur për të drejtat që burojnë nga [Pakoja] e Ahtissarit [v.j. në bazë të së cilës është shpallur pavarësia e Kosovës]… se cilat janë pengesat në ushtrimin e tyre dhe çka mund të bëhet më mirë”, tha pjesëtari i shoqërisë civile.
“Nga diskutuesit shqiptarë (qoftë nga politika apo shoqëria civile) ka pasur më shumë pyetje konstruktive, të drejtuara drejt komunitetit serb, se pse Asociacioni është i nevojshëm për t’i përmbushur këto kërkesa… theksimi i rreziqeve apo shqetësimeve mbi pasojat e Asociacionit në rendin juridik, por edhe kërkesa politike drejtuar aleatëve”, tha ai.
Sipas tij, “nuk mund të thuhet se kishte më shumë mbështetës të Asociacionit sesa kundërshtarë”.
“Ka pasur qëndrime të ndryshme, qoftë skeptike apo më pozitive – të njëjta me ato që i dëgjojmë në opinionin tonë publik”, tha ai.
Millica Andriq-Rakiq, nga organizata joqeveritare New Social Initiative, me bazë në Mitrovicë të Veriut, tha se diskutimi u fokusua kryesisht në tri tema: si do të funksiononte Asociacioni i komunave me shumicë serbe, çfarë lloj shërbimesh do të ofronte dhe si do të funksiononte ai brenda sistemit ligjor të Kosovës.
“Ka pasur qëndrime të ndryshme që janë ndarë nga pjesëmarrës të ndryshëm. Kanë folur rreth 25 persona. Padyshim që nuk kishte qëndrim të përbashkët në fund. Qëndrimet ishin shumë, shumë të kundërta”, tha Andriq-Rakiq për mediat pasi doli nga takimi.