BotaLajme

Japonia dhe NATO bashkohen kundër kërcënimeve të Kinës dhe Rusisë

Japonia dhe NATO duhet të “vazhdojnë të jenë të bashkuara dhe të vendosura” në dritë të kërcënimeve të sigurisë që paraqesin Kina, Koreja e Veriut dhe lufta e Rusisë në Ukrainë, tha në Tokio shefi i aleancës ushtarake perëndimore, Jens Stoltenberg.

Stoltenberg paralajmëroi se Pekini po vëzhgon nga afër zhvillimet në Ukrainë dhe “po mëson gjëra që mund të ndikojnë në vendimet e ardhshme”.

Këto komente ai i bëri pasi zhvilloi një takim me kryeministrin e Japonisë, Fumio Kishida.

Shefi i NATO-s vizitoi Japoninë në kuadër të turneut të tij në Azi, që synon të forcojë lidhjet me aleatët demokratikë.

“Çfarë po ndodh në Evropë sot mund të në Azinë Lindore nesër. Prandaj, ne duhet të qëndrojmë të bashkuar dhe të vendosur, të qëndrojmë së bashku për liri dhe demokraci”, tha ai.

Stoltenberg dhe Kishida thanë se janë të shqetësuar nga rritja e bashkëpunimit që kanë parë midis Kinës dhe Rusisë.

“Ne theksuam me shqetësim rritjen e bashkëpunimit ushtarak të Rusisë me Kinën, përfshirë edhe përmes operacioneve dhe stërvitjeve në afërsi të Japonisë”, thanë dy zyrtarët përmes një deklarate të përbashkët.

Një ditë më parë, Stoltenberg i kërkoi Koresë së Jugut që të rrisë mbështetjen ushtarake për Ukrainën, e cila po përballet me pushtimin rus që pothuajse një vit.

Por, të martën ai vlerësoi lartë “qëndrimin e fortë” dhe “mbështetjen substanciale” që Japonia i ka dhënë Ukrainës.

Tokio ka vendosur sanksione ndaj Moskës së bashku me partnerët e tjerë të G7-s, dhe po ashtu ka ndërmarrë hapa të rrallë duke dërguar pajisje të mbrojtjes dhe ka ofruar strehim për personat që ikin nga konflikti.

Stoltenberg tha se ai dhe Kishida po ashtu kanë ndarë shqetësimin lidhur me “sjelljen provokuese” të Koresë së Veriut, nisur nga aktiviteti bërthamor deri te testimi i raketave balistike.

Ai tha se Kina “nuk është armikja jonë”, por paralajmëroi për rritjen e prezencës së saj ushtarake në Azi, “përfshirë edhe të armëve bërthamore, ngacmimit të fqinjëve dhe kërcënimit ndaj Tajvanit”, po ashtu edhe përhapjen e dezinformatave lidhur me NATO-n dhe Ukrainën.

Kishida tha se Japonia do të themelojë një zyre të një përfaqësuesi të pavarur që do të merret me NATO-n, si pjesë e përpjekjeve për të thelluar bashkëpunimin me aleancën ushtarake.

Japonia po ashtu do të shqyrtojë mundësinë që të marrë pjesë vazhdimisht në takime të nivelit të lartë të aleancës, shtoi Kishida.

Në dhjetorin e vitit të kaluar, Japonia njoftoi për ndryshimin më të madh të strategjisë së saj të mbrojtjes dhe sigurisë.

Strategjia e re përfshin plane për të rritur shpenzimet për mbrojtje në 2 për qind të Bruto Prodhimit Vendor deri në vitin fiskal 2027, duke bërë që Japonia të jetë në përputhje me udhëzimet e NATO-s sa i përket shpenzimeve për mbrojtjen.

Show More

Related Articles

Back to top button