BotaLajme

Skandali i përgjimeve dhe rrëzimi i mundshëm i qeverisë greke

A do të çojë skandali i përgjimeve në ndryshimin e qeverisë në Athinë? Opozita shpreson, por qeveria e ka mbijetuar deri tani.

Greqia gjendet në mes të fushatës zgjedhore, megjithëse ende nuk është caktuar data e zgjedhjeve parlamentare. Periudha legjislative përfundon në korrik 2023, por është e mundur të ketë zgjedhje të parakohshme më 9 prill.

Dy gjëra janë tashmë të sigurta: Së pari, publiku nuk do të marrë asnjë përgjigje për pyetjet e hapura për skandalin e përgjimeve, që po përhapet gjithnjë e më shumë. Dhe së dyti, fushata zgjedhore ka të ngjarë të kthehet në një përleshje mes konservatorëve në pushtet partisë Nea Dimokratia dhe aleancës së krahut të majtë Syriza.

Kjo u bë e qartë gjatë një debati tre-ditor në parlamentin grek javën e kaluar. Debati u shkaktua pas një mocioni mosbesimi nga kreu i opozitës Alexis Tsipras të mërkurën (25 janar 2023). Shkak për këtë është bërë një raportim i autoritetit për mbrojtjen e të dhënave (ADAE) për skandalin e përgjimeve që ka pushtuar Greqinë prej muajsh.

Agjencia konfirmoi se shërbimi sekret EYP kishte përgjuar Ministrin e Punës, Kostas Chatzidakis dhe pesë zyrtarë të lartë ushtarakë, përfshirë shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Greke, Konstantinos Floros. Muaj më parë ishte bërë e ditur se eurodeputeti Nikos Androulakis, kryetar i partisë së tretë më të madhe, PASOK, dhe dy gazetarë ishin përgjuar.

“Drejtësia do të sqarojë çështjen”

Për pyetjen pse ka ndodhur kjo, gjatë debatit deputetët dhe publiku grek nuk morën përgjigje nga kryeministri Kyriakos Mitsotakis. Edhe pse nuk e mohoi përgjimin, ai tha se nuk dinte asgjë për këtë. Gjyqësori do ta sqarojë rastin”, tha thjesht Mitsotakis. Ai e përdori debatin për të folur gjatë për gabimet e qeverisë së mëparshme dhe për skandalet në të cilat politikanët e Syriza dyshohet se ishin përfshirë gjatë mandatit të tyre nga 2015 deri në 2019. Ai akuzoi kryetarin e Syriza-s Tsipras se ka nisur një “luftë të ndyrë” politike në funksion të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Nga ana e tij, Tsipras i bëri thirrje parlamentit të marrë një vendim pro ose kundër demokracisë. Ai akuzoi Mitsotakis për gënjeshtër dhe pyeti se si mund të ndodhte që kryeministri nuk dinte asgjë për skandalin e përgjimeve, edhe pse ai e bëri shërbimin sekret prioritet kryesor kur mori detyrën në 2019.

Mbijetesa politike

Pas debatit, i cili u karakterizua me akuza të rënda dhe polarizim ekstrem, të 156 anëtarët e partisë në pushtet dhe në këtë mënyrë shumica e parlamentit prej 300 anëtarësh i shprehën besimin e tyre kryeministrit Mitsotakis. Edhe ministri Chatzidakis, vetë viktimë e operacionit të përgjimeve, ishte i bindur se kryeministri nuk dinte asgjë.

Popullsia greke nuk e ndan këtë besim. Sipas sondazhit të fundit nga instituti i sondazheve të Athinës Prorata, pothuajse 70 për qind e qytetarëve besojnë se Mitsotakis dinte për përgjimin. Më shumë se gjysma e të anketuarve e konsiderojnë përgjimin “të gabuar” dhe “të dëmshëm për demokracinë”.

Mitsotakis edhe më tej i pari

Në të njëjtën kohë, populli i Greqisë është i bindur se Mitsotakis nuk ka asnjë interes të hetojë aferën e përgjimeve. Sidoqoftë, zemërimi për të është i kufizuar. Pavarësisht përgjimeve, Nea Dimokratia ende kryeson në sondazhe me pesë pikë përqindjeje ose më shumë, sipas sondazheve të fundit. Partia e Mitsotakis mund të marrë midis 30 dhe 33 për qind, por kjo nuk do të mjaftonte për të vazhduar qeverisjen e vetme. Pra, konservatorët do të kenë nevojë për një partner koalicioni.

Ky ka shumë gjasa të jetë PASOK-u socialdemokrat, me të cilin ka qeverisur më parë ND (2012-2015). Por kjo do të presupozonte që kryetari i saj, Androulakis, të falte përgjimin e personit të tij dhe t’i besonte partnerit të tij të mundshëm të koalicionit, gjë që nuk ka gjasa të ndodhë për momentin.

Skandali i përgjimeve

Në korrik 2022 u bë publike se shërbimi sekret grek EYP kishte përgjuar telefonatat e shefit të PASOK-ut, Androulakis. Mitsotakis, i cili protestoi se nuk dinte asgjë për këtë, e shkarkoi shefin e zyrës dhe nipin e tij Grigoris Dimitriadis, si dhe shefin e tij të inteligjencës Panagiotis Kontoleon, ndoshta me shpresën se çështja do të zgjidhej dhe diskutimi do të zhdukej shpejt nga opinioni publik.

Por Androulakis nuk ishte viktima e vetme. Dy gazetarë u përgjuan gjithashtu: Stavros Malichoudis, i cili kishte bërë shumë hulumtime për çështjet e refugjatëve dhe mbi të gjitha për veprimet e kundërligjshme nga rojet bregdetare greke në Egjeun lindor, dhe reporteri i çështjeve ekonomike, Thanasis Koukakis. Megjithatë, kjo nuk u raportua në shumicën e mediave greke.

Pas kësaj, skandali vazhdoi të përhapet. Mes të përgjuarve ishin edhe pjesëtarë të komandës së forcave të armatosura, ministra dhe gazetarë. Më 29 janar 2023, revista Documento, e cila ka luajtur një rol qendror në publikimin e emrave të viktimave të dyshuara të përgjimeve, publikoi në faqen e parë një lajm interesant: Thuhet se janë përgjiuar edhe motra e Mitsotakisit, Dora Bakogiannis, deputete dhe ish-ministre e Jashtme, djali i saj, Kostas Bakogiannis, kryebashkiaku i Athinës dhe vajza e saj Alexia. Nga familja nuk ka pasur deri tani asnjë mohim të informacioneve./DW

Show More

Related Articles

Back to top button