Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në seancën e sotme të 122-të miratoi propozim-ligjin për shpalljen e Kanionit të Matkës për zonë të mbrojtur në kategorinë III – Monument i Natyrës, njofton Portalb.mk.
“Me miratimin përfundimtar, pas një periudhe të gjatë harmonizimi, u arrit një konsensus në interes të mbrojtjes së këtij thesari unik natyror kombëtar. Me miratimin e Ligjit, do të mundësohet jo vetëm mbrojtja e vlerave natyrore, shumëllojshmëria e biodiversitetit, por edhe do të krijohen mundësi të reja për menaxhimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të këtij ekosistemi”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.
Pas miratimit nga Qeveria, propozim-ligji duhet të dorëzohet për miratim në Kuvend.
Ndryshe, Kanioni i Matkës qysh nga viti 2004 është duke pritur që të shpallet sërish zonë e mbrojtur si monument i natyrës. Një nga raritetet më të bukura natyrore në vend, që është shtëpi e shumë specieve të rralla dhe endemike të bimëve e kafshëve, duke përfshirë shkabën egjiptiane dhe shkabën me kokë të bardhë (grifon), të cilat janë në listat e kuqe të specieve të rrezikuara, ka mbetur e pambrojtur për gati dy dekada para sulmeve të ndërtimeve të paligjshme dhe pa menaxhim të duhur që do të sigurojë ruajtje të vlerave natyrore të këtij kanioni.
Në vitin 2010, u përgatit Studimi për rivlerësimin e vlerave natyrore të zonës së mbrojtur, monument natyror, “Kanioni i Matkës” në kuadër të projektit të UNDP “Forcimi i qëndrueshmërisë ekologjike, institucionale dhe financiare të sistemit të zonave të mbrojtura kombëtare të Maqedonisë” me fonde nga Bashkimi Evropian. Në vitin 2019, gjithashtu përmes UNDP, një projekt u financua për të rishikuar kufijtë e zonës së mbrojtur, i nevojshëm për të miratuar Ligjin për shpalljen e lokalitetit Matka monument natyror.