GostivarLajme

Takim mes kreut të Gostivarit dhe Klinës, Taravari-Elezaj: Jemi një tërësi e ndarë që na duhet bashkëpunim

Këmbim nxënësish, thellim të bashkëpunimit në fushën e kulturës, sportit dhe bashkëpunim për thithjen e fondeve të përbashkëta ndërkombëtare për Komunën e Gostivarit dhe asaj të Klinës të Republikës së Kosovës. Në këto tema është fokusuar biseda mes kryetarit Arben Taravari dhe atij të Klinës, Zenun Elezaj i cili sot ka vizituar Komunën e Gostivarit. Me këtë rast, kryetari Taravari tha se komunat shqiptare të Maqedonisë duhet më shumë të bashkëpunojnë me komunat shqiptare të rajonit, sidomos me ato të Kosovës, pasi siç ai u shpreh, jemi një tërësi por e ndarë, e cila mund të bashkohet vetëm me afërsi dhe bashkëpunim.

“Na ka nderuar me vizitën e tij profesori Zenun Eleza, kryetar i Komunës së Klinës. Bisedojmë për bashkëpunim eventual për fonde evropiane, për këmbim nxënësish, sportistësh, shoqërive kulturore, në përgjithësi unë mendoj se duhet ta thellojmë bashkëpunimin si komuna shqiptare të RMV-së posaçërisht me komunat e Kosovës, po edhe me ato të Shqipërisë, por me Kosovën mendoj se jemi një tërësi e ndarë dhe urojë që periudhën që kemi para nesh të kemi bashkëpunim dhe ta zhvillojmë atë me shumicën e komunave të Republikës së Kosovës”, deklaroi Arben Taravari, kryetar i Komunës së Gostivarit.

Nga ana tjetër, kryetari i Klinës, Zenun Elezaj tha se bashkëpunimi mund të jetë në disa fusha, por sipas tij, prioritet duhet të ketë në ato që sjellin zhvillim ekonomik.

“Feleminderit për mikëpritjen dhe kjo është një mundësi e mirë për mua që të jem brenda qytetit të Gostivarit për herë të parë, sepse këtë rrugë e kam kaluar ndoshta në shumë raste, por sot ndodhem këtu dhe më pëlqen shumë qyteti, që në minutat e para ishte shumë bukur. Sigurisht që është shumë e rëndësishme që të thellojmë bashkëpunimin dhe ka mundësi të shumta, kuptohet ajo e para është kulturore pasi jemi një kulturë, por pse jo edhe për mundësitë e zhvillimit ekonomik , bashkëpunim në fushën e fondeve evropiane dhe fondeve tjera”, tha mes tjerash Zenun Eleza, kryetar i Komunës së Klinës.

Pas takimit në Komunën e Gostivarit, kryetari Taravari dhe mysafiri tij Eleza kanë vizituar disa nga qendrat rinore të qytetit dhe atë të autizmit e cila është në ndërtim e sipër.

Show More

Related Articles

Back to top button