LajmeRajon

Kurti përplaset ashpër me deputetët opozitarë në Kuvend

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është përplasur ashpër me deputetët e opozitës, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.

Pasi deklaroi se pranon Asociacionin, por me gjashtë kushte, opozitarët e quajtën Kurtin mashtrues, teksa kritikuan atë për ndryshim të qëndrimeve. Mirëpo, Kurti pyeti të njëjtin se cilin kusht të tij do ta largonin, ndërsa nënvizoi se ish paraardhësit e tij e kanë shkelur Kushtetutën 22 herë për Asociacionin.

“Sa i përket 22 pikave të Gjykatës Kushtetuese, ato tregojnë që ish kryetari i juaj dhe kryetari i nderit e ka shkelur 22 herë Kushtetutën. Ato tregojnë numrin e shkeljeve të Kushtetutës nga ish kryetar i juaj dhe kryetari i nderit të subjektit të juaj. Ndërkaq, këto gjashtë kushtet që i vendosa unë janë kushte politike dhe kanë bazë në aspektin demokratik universal dhe evropian të qeverisjes dhe politikë bërjes. Vetëm pas njohjes reciproke mund të zbatohet asociacioni që s’mundet të ketë emrin mono etnik, që s’mundet të ketë pushtet publik dhe vetëm pas çarmatosjes, dorëzimit të armeve ilegale në veri dhe shuarjes së strukturave atje”, tha ai.

Kreut qeveritar i reagoi me tonë të ashpër, kryetari i LDK-së, deputeti Lumir Abdixhiku, i cili i tha se kushtet e Kurtit për Asociacioni adresohet në 22 udhëzimet e Gjykatës Kushtetuese.

Njërin prej tyre e theksoi, duke thënë se çarmatosja e veriut është çështje e brendshme e institucioneve të Kosovës, jo e dialogut.

Në anën tjetër e bëri një krahasim mes Abdixhikut dhe deputetit tjetër të LDK-së, Avdullah Hoti, të cilët i kishte vartës në Qeverinë Kurti I, me zëvendëskryeministrin aktual Besnik Bilsimi dhe ministrin e Financave, Hekruan Murati.

“Ju lutem të ruani qetësinë dhe racionalitetin. Qetësi dhe racionalitet. Ato 22 udhëzimet e Gjykatës Kushtetuese tregojnë sa herë kryetari juaj e ka shkelur Kushtetutën, profesori do të thoshin disa, edhe unë. E dyta, edhe unë ju falënderojë që i dëgjuan gjashtë kushtet dhe nuk dhanë mendime për heqjen e ndonjërit, me përjashtim të zotëri Abdixhiku, i cili nuk po e kuptoj a po thotë të hymë me forcë në veri, apo e sugjeron këtë gjë. Unë deputetin Abdixhiku e kam pasur ministër dhe deputetin Hoti që s’qenka këtu e kam pasur zëvendës. Por me ju tregu diçka për këtë aspekt, zëvendësi Bislimi dhe ministri Murati, cilido prej tyre, këta dy bashkë nuk janë as çereku i tyre. I njoh mirë, shumë mirë, kam pas edhe ministrin e Brendshëm nga radhët e LDK-së për një periudhë të shkurtë. S’kanë pasur këso idesh, këtyre idetë iu dirigjon karriga. Bëhet fjalë për deputetë dhe ish ministra që mendimet iu dirigjojnë karrigat ku ulen dhe jo bindjet që i kanë ose më mirë të them s’i kanë”, tha ai.

Kurtit iu kundërpërgjigj deputeti tjetër i LDK-së, Agim Veliu, i cili ishte ministër i Brendshëm nën qeverisjen e Kurtit, ku tha se ai është i paguximshëm dhe mashtrues.

“Ky e dinë shumë mirë se mua mendja nuk më ka shkuar me bërë budallakina të tilla sikur ky po bën tash. Por unë kam punuar për integrim të veriut përnime. Ky e dinë shumë mirë se unë kam ofruar këtij të ndërmarrin aksione të ndryshme në veri, por ky s’ka pasur guxim”, deklaroi Veliu.

Në diskutim e sipër, kreu qeveritar pyeti deputetët se a është ndonjë prej tyre që dëshiron t’i heq kushtet për Asociacionin.

“Më tregoni ju mua si deputetë të Republikës së Kosovës, a ka ndonjë prej këtyre gjashtë kushteve që doni ta largoni”, pyeti ai.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i tha Kurtit se këso pyetje nuk duhet të shtrojë, por duhet të tregojë pse ndryshoi qëndrimin për Asociacionin.

“Kryeministër nuk shtrohem pyetja kush i heq kushtet. Ne pyetjet po i shtrojmë për ndryshimin e qëndrimit tënd në raport me bashkësinë e komunave me shumicë serbe. Tash një etnike ose mono etnike janë të interpretueshme, pasi ai të thotë po, pasi ka edhe qytetarë shqiptarë që banojnë atje, pasi është bashkësisë e komunave ku jetojnë serbë dhe shqiptarë. Pra në pyetje është ndryshimi yt dhe qëndrimi që dallon me Albin Kurti deri para një dite. Sot e ke shti Kosovën në një momentum të ri me themelimin e Zajedincës. Ku ke me përfundu, ta shohim. Por kjo tregon se ti lehtësisht tërheqësh edhe prej njohjes”, theksoi ai.

Por kryeministri Kurti tha se ndryshimin e tij e vlerësojnë qytetarët në zgjedhjet e përgjithshme në zgjedhjet e vitit 2025.

“Ndryshimin tim e vlerësojnë qytetarët në zgjedhjet e vitit 2025. Por ndërkohë, unë ju falënderojë që kur e morët fjalën nuk e thatë asnjërin prej kushteve që mendoni të heqni”, tha ai.

Ndaj Kurtit reagoi sërish një deputet i LDK-së, i cili e quajti mashtrues dhe kërkoi nga ai të raportojë në Kuvend për dialogun.

“Kryeministër je duke mashtruar. Qëndrimi i platformës politike dhe institucionale të Kosovës ka qenë, marrëveshje finale, ligjërisht obligueshme me njohje reciproke, pastaj asociacioni. Ajo çka je duke thënë ti këtu, po kallëzon bipolaritetin tënd emocional dhe psikologjik”, tha ai.

Kurti u shpreh i gatshëm të raportojë, por kërkojë nga Kuvendi që të ndërmerr iniciativën.

“Është shumë e rëndësishme që ju të ndërmerrni iniciativën dhe mund të diskutojmë. E kemi pasur deputetin Hoxhaj që pat kërkuar mbledhje edhe me dyer të mbyllura, por unë si kryeministër nuk do të kisha kërkuar mbledhje me dyer të mbyllura. Prandaj është e rëndësishme që nëse ka kaq shumë etje dhe uri për diskutim le ta bëjmë me kërkesë të Kuvendit të Republikës”, tha ai.

Në anën tjetër, duke parë diskutimet në Kuvend, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, tha se Kurti paska aftësi për spektakël dhe humor, andaj e ftoj atë që të shkojë në spektaklin “Big Brother”.

“Ajo çka bëri sot zotëri Kurti ishte një spektakël dhe humor duke u tallur edhe me deputetët dhe qytetarët. Andaj zotëri Kurti duke pa që paske aftësi që me bo spektakël dhe humor ju kisha ftuar me shku në Big Brother”, tha ajo.

Përplasje mes Abdixhikut dhe Kurtit

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku në seancën e sotme parlamentare theksoi se data e sotme, 2 shkurt, është datë e pranimit të Asociacionit nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Deputeti Abdixhiku ka thënë se Kurti e ka futur dialogun në qorrsokak dhe asnjëherë nuk ka raportuar në Kuvend për dialogun me Vuçiqin.

“Kjo datë e sotme e 2 shkurtit 2023 është datë e pranimit të Asociacionit nga kryeministri i Kosovës, nuk po them që është mirë a keq, mos më keqkuptoni. Unë po them që kryeministri i Kosovës tha që marrëveshja e vitit 2013 që është tani obligim ndërkombëtar për Kosovën është e bëshme me disa kushte, por e bëshme është, dhe kushti thelbësor që besoj që jemi pajtuar të gjithë është që ky Asociacion të jetë në përputhje me kushtetutën e Republikës së Kosovës. Pra, kjo ka qenë garanca gjithmonë. Tani kryeministri foli për një marrëveshje për një pikë, numër 10, që se dimë, sepse besoni ose jo tash e 6 muaj ky dialogun me Vuciqin, por asnjëherë s’ka ardhur të raportojë në këtë kuvend të Kosovës me deputetët shqiptar dhe jo shqiptar. Sepse kjo qasje e tij, jo vetëm që ka sjellë në ndryshim thelbësor procesit të dialogut këto dy vjet por tani po flasim për një marrëveshje që s’është as ligjërisht e obligueshme e nuk qartësohet interpretimi i saktë i njohjes në të. Mbështetjen e plotë e ke të LDK-së për respektim të rendit kushtetues të Kosovës dhe për përmbyllje të procesit të dialogut. Por, eja raporto në Kuvend për marrëveshjen finale, sepse ke futur dialogun qorrsokak”, theksoi Abdixhiku.

Ndaj kryetarit të LDK-së ka replikuar kryeministri Albin Kurti, i cili tha se Asociacioni nuk mund të jetë mono-etnik dhe të bartë asnjë pushtet publik.

“Nuk e thash një kusht, i thash gjashtë. Dhe është e pa drejt që nga 6 kushtet të përmendet vetëm një. Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës. Por, janë edhe pesë të tjera, Asociacioni nuk mund të jetë mono-etnik dhe të bartë asnjë pushtet publik. Duhet të ketë reciprocitet të të drejtave, çfarë do të drejta për serbët në Kosovë, duhet të ketë të drejta edhe për shqiptarët në Serbi”, tha ai.

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku sërish i tha Kurtit se Asociacioni po bëhet.

“Kryeministri foli tre minuta, por se mohoi thelbin kryesor. Asociacioni po bëhet, po bëhet, ky është thelbi i diskutimit të tij. Kushtetuta e Kosovës e ka përcaktuar saktë se si do të duket ky asociacion. Jo gjashtë, i keni edhe 22 të tjera. Ky është manipulim i opinionit publik dhe juve të shkertërve që duhet t’i fshini të gjitha qëndrimet që i keni pasur deri më sot”, theksoi Abdixhiku.

Nuk u ndal me kaq Kurti, i cili tha se Zajednica nuk kalon. Kryeministri Kurti u shpreh po ashtu i gatshëm të raportojë në Kuvend për dialogun Kosovë-Serbi.

“Unë e kam të qartë se ju keni qejf me ua themeluar Zajednicën, por Zajednica nuk kalon. Këtë e keni pranuar ju më 19 prill 2013 edhe më 25 gusht 2015. Ajo nuk bëhet, unë nuk e zbatoj”, u shpreh ai.

Show More

Related Articles

Back to top button