LajmeMaqedoni

Kërcënime për punëtorët që shprehin revoltë në financa!

Dje dolën para godinës së ministrisë të shprehin revoltën ndaj vendimit të ministrit Besimi, ndërsa sot gjysma e të punësuarëve në Ministrinë e Financave nuk dolën as në kohën e pauzës. Shumë prej tyre prapa kamerave thanë se nuk guxojnë të flasin ngaqë kanë marr urdhër nga udhëheqësit e tyre. Disa thonë se ky vendim është kaotik, kurse të drejtën e tyre për 30% rritje të pagës së janarit do ta kërkojnë edhe përmes gjykatës civile.

“Të gjithë jemi të guximshëm! Si e komentoni shfuqizimin e vendimit për rritje të pagave? Katastrofë! Shkurt, aq! A do të ankoheni në gjykatë? Po, po absolutisht! Do bëni nismë kolektive? Do ta shohim!” // “Si e komentoni heqjen e vendimit për pagat? Në instanca më të larta duhet të pyesni! A do të kërkoni drejtësi në gjykatë? Hazër i kemi bërë…!”

Me propozim të Ministrisë së Financave, Qeveria sot ndryshoi tekstin e draft-ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për buxhete. Sipas tyre, ndryshimet ligjore të propozuara synojnë të fshijnë dispozitën për rritjen e pagave të punonjësve në Ministrinë e Financave me 30%, siç sqarojnë, për disa arsye.

 “Pamundësia e përcaktimit të specifikës së detyrave të punës dhe përgjegjësia e veçantë që buron nga vendi i punës, me qëllim të përsosjes së ligjit për buxhetet dhe duke pasur parasysh se Ligji për sistemin e pagave në sektorin publik është në proces miratimi”, deklaruan nga Ministria e Financave.

“Tërheqja e vendimit për rritje të pagave prej 30% për të punësuarit në Ministrinë e Financave, nuk i mjaftoi Ministrit Besimi, i cili që dje dha urdhër që të punësuarit mos të shprehin revoltë publike, për ndryshe do të pasojnë masat disiplinore dhe heqje nga paga dhe kjo si duket është një metodë e re e Ministrit Besimi, i cili një javë më parë tha se për ti motivuar të punësuarit vendosi tu rrit pagat 30%”.

 Nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë thonë se Ministri Besimi, është arsyeja kryesore pse 138 mijë punëtorë në sektorin publik, së bashku me LSM-në, filluan një grevë të përgjithshme në sektorin publik.

“Ministri Besimi, duke e fshirë dispozitën për rritjen e pagave që ai vetë e ka sjellë dhe e ka mbrojtur, me vetëdije kryen vepër penale nga neni 166 i Kodit Penal, sepse me vetëdije nuk respekton ligjin për paga dhe shtesa në pagë dhe në këtë mënyrë shkel, ia heq ose kufizon një të drejtë që i takon punonjësit.

Ngjarjet e tilla të vetëgjyqësisë së këtij ministri që vazhdojnë duhet të jenë argument i mjaftueshëm për themelin e padisë së LSM-së dhe i apelojmë gjykatës me vendimin e saj për t’i dhënë fund vetëgjyqësive”, thanë nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë. Kreu i SPOGJ tha se nga kjo ndërtesë nuk kanë lejuar asnjë të punësuar të anëtarësohet në sindikatë.

Sipas tyre, kjo praktikë cenon rendin juridik, ku ministrat në kundërshtim me ligjin, vetëvendosin dhe zgjedhin nëse do t’i zbatojnë dispozitat e ligjeve apo jo. Deanoski kërkon dorëheqjen e Ministrit Besimi.

 “Për një muaj kanë të drejtë të kërkojnë 30% e pagës së rritur derisa nuk shfuqizohet ky ligj në Kuvend. Unë iu bëj thirrje të gjithë grupeve të deputetëve, mos ta respektojnë vendimin e qeverisë dhe mos ti votojnë ndryshimet në Ligj, që duhet të miratohen në Kuvend. Pozitë apo opozitë nuk ka rëndësi, neve na intereson e drejta e punëtorëve”, deklaroi Tërpe Deanoski- Kryetar i SPOGJ-it.

Të gjitha reagimet në opinion erdhën pasi që TV Alsat zbuloi vendimin e Ministrit Besimi, i cili pa bërë bujë kishte kaluar edhe në qeveri dispozitën për rritje të pagave në resorin e tij, në kuadër të Ligjit për paga, i cili hyri në fuqi nga 1 Janari 2023. Ende pa marrë pagën e parë me rritje prej 30%, vendimi u shfuqizua, megjithëse arsyetimet ishin se bënë harmonizim pagash me DAP dhe Doganat. Sindikalistët inkurajojnë rreth 650 punonjësit e Financave që të mos devijojnë dhe të kërkojnë paratë e premtuara. /alsat.mk

Show More

Related Articles

Back to top button