LajmeRajon

BERZH për Shqipërinë: Dilni nga “lista gri” e pastrimit të parave

Në intervistë për DW, Alexander Plekhanov nga BERZH thotë se tregu në Shqipëri do të përmirësohej nëse reforma në gjyqësor do të kishte ritme më të shpejta dhe vendi do të kishte kontroll më të fortë mbi paratë e pista.

Pak ditë më parë, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) prezantoi gjetjet e Raportit të Tranzicionit për vitin 2022-23. Për Shqipërinë, treguesi që mat mirëqeverisjen shënoi rënie, krahasuar me gjashtë vite më parë.   

DW: Z.Plekhanov, është publikuar së fundi Raporti i Tranzicionit për vitin 2022-23. Si do t’i analizonit gjetjet për Shqipërinë?

Alexander Plekhanov: Viti 2022 ishte një vit sfidues në të gjitha rajonet ku ne investojmë, përfshirë Shqipërinë. Ekonomitë në Europë janë prekur thellësisht nga kriza energjitike dhe ndërprerje të tjera, pikërisht në kohën kur ato po rimëkëmbeshin nga pasojat e pandemisë së Covid-19. Një nga kapitujt e këtij raporti evidenton format se si kompanitë menaxhuan ndërprerjet e ndryshme të zinxhirit të furnizimit dhe dokumenton zhdërvjelltësinë e jashtëzakonshme të ndërmarrjeve private. Tre të katërtat e kompanive që veprojnë në Europë në import dhe eksport u përballën me ndërprerje të rrjetit të furnizimit, si pasojë e politikave 0-covid të Kinës, të pushtimit rus në Ukrainë, motit ekstrem e shumë arsye të tjera. Kompanitë u treguan tepër elastike, rritën inventarët dhe gjetën furnizues të rinj (në 80% të rasteve, jashtë shteteve të tyre) dhe digjitalizuan menaxhimin e zinxhirit furnizues.

DW: Në këtë raport, treguesi që mat mirëqeverisjen ka shënuar rënie krahasuar me vitet e mëparshme, më konkretisht treguesi shënon 4.62 për vitin 2022, ndërkohë që në vitin 2016 shënonte 5.26. Cilët janë faktorët që kanë çuar Shqipërinë në regres brenda një periudhe 6-vjeçare?

Alexander Plekhanov: Treguesit e qeverisjes ndërthuren me një sërë masash të qeverisjes në nivel vendor dhe korporatave. Luhatja në rezultate pasqyron ndryshimet e shumë treguesve dhe gjithashtu varet nga progresi i bërë nga vendet e tjera, gjatë së njëjtës kohë. Për shembull, renditja e Shqipërisë në listën e indeksit të perceptimit të korrupsionit që analizon Transparency International, ishte më e ulët në vitin 2022 se sa në vitin 2016. Duke parë drejt së ardhmes, një ritëm më i shpejtë i reformës gjyqësore do të sillte rezultate në përmirësimin e tregut. Në të njëjtën mënyrë, do të kishte një përmirësim të tregut nëse do të zbatoheshin shqetësimet e ngritura nga Task-Forca e Veprimit Financiar në lidhje me kontrollet kundër pastrimit të parave, shqetësime të cilat e kanë futur aktualisht Shqipërinë në të ashtuajturën “listë gri”, zyrtarisht e njohur si lista nën monitorim të shtuar.

DW: A evidentoni rritje të korrupsionit dhe informalitetit dhe sa e dëmton përkeqësimi i situatës rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE?

Alexander Plekhanov: Në terma afatgjatë, të dhënat e studimit tonë tregojnë përparim. Çdo 6 vjet, sëbashku me Grupin e Bankës Botërore dhe Bankën Europiane të Investimeve ne kryejmë sondazhe përfaqësuese me kompanitë. Ne u drejtojmë atyre një numër të madh pyetjesh rreth përvojave të tyre, përfshirë përvojat tipike të korrupsionit dhe informalitetit në sektorët dhe fushat në të cilat ato operojnë. Kur e zhvilluam këtë sondazh 20 vite më parë, në vitin 2002, kompanitë në Shqipëri raportuan se 6% e shitjeve të tyre shkonin për pagesa informale. Në vitin 2019, kjo përqindje kishte rënë në 2.7%. Kjo shifër vijon të mbetet më e lartë se Italia për shembull, ku mesatarja është rreth 0.3%, por gjithesi është më e ulët se 20 vite më parë.

Pavarësisht nga këto tendenca pozitive afatgjata, mbetet ende shumë punë për t’u bërë, duke përfshirë këtu rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Bëhet fjalë për disa sfida që ne i përmendëm, si reforma e gjyqësorit, dispozitat ligjore kundër pastrimit të parave dhe zbatimi i tyre, për shembull.

DW: Si paraqitet situata përsa i përket rritjes së inflacionit dhe sa e rrezikuar është Shqipëria nga rritja e çmimeve? 

Alexander Plekhanov: Inflacioni është një sfidë madhore e ekonomive me të cilat ne punojmë, në Europë, Mesdheun Jugor dhe Lindor dhe Azinë Qendrore. Në të gjithë rajonet inflacioni arriti pikun e tij në tetor 2022, me një mesatare prej 17.5%, nivel i përjetuar për herë të fundit në recesionin e vitit 1998. Inflacioni ka nisur të bjerë gradualisht që nga tetori. Çmimet e energjisë elektrike (në veçanti çmimet rekord të gazit natyror në Europë) dhe çmimet e ushqimeve ishin nxitësit kryesorë të inflacionit në fillim, ndërsa tani përbëjnë thuajse gjysmën e presionit inflacionist.

Edhe në Shqipëri inflacioni gjithashtu kulmoi në tetor 2022, por me një nivel dukshëm shumë më të ulët, në 8.3%. Në fundin e vitit ra në 7.4%. Varësia e ulët e Shqipërisë ndaj gazit ndihmoi për të mbajtur inflacionin nën kontroll, duke qenë se prodhimi më i madh i energjisë elektrike vjen nga hidrocentralet. Besueshmëria e politikave të Bankës Qendrore ka luajtur gjithashtu një rol të rëndësishëm. Teksa ekonomia rritet dhe uji pakësohet gjithnjë e më tepër, kriza energjitike e vitit 2022 në Europë nënvizon rëndësinë e investimit në energji, me një fokus tek energjia e rinovueshme. Në këtë sektor, BERZH ka pasur një sërë projektesh të rëndësishme dhe vijon ta mbështesë vendin.

DW: Në cilat fushat vërehet progress dhe në çfarë sektorësh paraqitet situatë stanjacioni?

Alexander Plekhanov: Përmenda më sipër prioritetet për reformat qeverisëse dhe masat që duhet të merren kundër pastrimit të parave.

Për sa i përket pëparimeve, raporti ynë thekson përmirësime në fushën e gjithëpërfshirjes, ku Shqipëria ka shënuar një rritje prej 0.5 që nga viti 2016. Në veçanti, të dhënat e sondazhit flasin për një përmirësim të dukshëm për sa i përket aftësive digjitale të njerëzve dhe qasjes së përmirësuar në internet, në zonat problematike të dikurshme. Ishte gjithashtu inkurajuese të shihje turizmin në rritje gjatë vitit të kaluar, ku ne punuam ngushtë me këtë sektor, me qëllim që zhvillimi i turizmit dhe përmirësimi i gjithëpërfshirjes të forcojnë njeri-tjetrin.

Alexander Plekhanov është drejtor i BERZH për “Ndikimi i Tranzicionit dhe Ekonomive Botërore” (Transition Impact & Global Economics)

Show More

Related Articles

Back to top button