LajmeRajon

Hyri në administratë me një apartament 47 m2 dhe doli me disa prona pas 6 vitesh, nuk deklaroi 120 mijë eurot e vjedhura

Ish-zyrtarja e Kryeministrisë, Alda Klosi u arrestua ditën e djeshme, pasi pastruesja Rozeta Dobi dëshmoi se vjedhja në shtëpinë e saj ishte inskenuar.

Nga ky inskenim, fillimisht u deklarua se Klosit i ishin vjedhur 120 mijë euro në banesë, këto të padeklaruara.

Mirëpo, kur u emërua në administratën e lartë shtetërore në 2016, si drejtore në ministrinë e Financave Klosi kishte një pasuri modeste, ka mësuar News 24.

Ajo ishte bashkëpronare me të shoqin Altin Klosi në një apartament prej 47m2 katrorë në Tiranë, me vlerë 2,5 milion lekë, një automjet “Toyota Yaris” i vlerësuar 180 mijë lekë dhe disa llogari bankare me vlera të ulëta ose të papërfillshme, prej 7 eurosh apo 3,8 dollarësh.

Nga ana tjetër bashkëshorti kishte dhe një truall prej 1000 m2 katrore në periferi të Tiranës me vlerë 9 milion lekë, ku përfshihet dhe një ndërtim prej rreth 90 m2.

Vetëm një vit më pas Alda dhe Altin Klosi blenë një apartament në Tiranë prej 72 metrash katrorë me vlerë rreth 32 mijë euro, financuar pjesërisht nga një kredi prej 2 milion lekësh, 950 mijë lekë të tjera i kanë marrë borxh dhe nga një garanci financiare të një prone me qira.

Me kalimin e viteve pasuritë e Alda Klosit pësuan ndryshime të mëdha.

Tashmë e divorcuar, Alda Klosi bëhet papritur pronare e dy apartamenteve banimi në Lezhë, me vlerë gati 8 milion lekë që të dy.
Në të njëjtin vit ajo shlyen kredinë e marrë në 2017 për blerjen e apartamentit në Tiranë, dhe bëhet pronare me te drejta të plota.

Ndërkohë në vitin 2022, Alda Klosi deklaron se ka përfituar tre pasuri si trashëgimi ligjore nga familja. Por teksa ka deklaruar pronat e marra nga trashëgimia, ajo nuk ka bërë asnjë deklaratë për të paktën 120 mijë eurot e vjedhura në shtëpi.

Kujtojmë që fillimisht Klosi deklaroi se shuma në fjalë ishte për kurimin e xhaxhait të saj që jetonte në SHBA, megjithatë ajo kishte detyrim ligjor që ta raportonte si gjendje “cash” në banesën e saj.

Show More

Related Articles

Back to top button