I dërguari special i Kanadasë për Bashkimin Evropian dhe Evropën, Stefan Dion, nga sot deri të mërkurën do të qëndroj për vizitë zyrtare në vendin tonë, ku do të takohet me presidentin Stevo Pendarovski dhe me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, ministrat e Qeverisë, si dhe me përfaqësues të komuniteteve civile, kulturore dhe afariste.
Siç njoftojnë nga Konsullata kanadeze në Shkup, fokusi i vizitës së Dionit në vend është ri-afirmimi i bashkëpunimit dhe marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kanadasë dhe Maqedonisë së Veriut.
Dion në periudhën nga nëntori i vitit 2015 deri në janar të vitit 2017, ka qenë ministër i Punëve të Jashtme të Kanadasë, pas së cilës u emërua i dërguar i posaçëm i kryeministrit kanadez Xhastin Trudo për Bashkimin Evropian dhe Evropën. Nga viti 2017 deri në vitin 2022, ai ka qenë ambasador i Kanadasë në Gjermani dhe aktualisht është ambasador kanadez në Francë dhe Monako.