Boksieri britanik Anthony Joshua dhe ai amerikan Jermaine Franklin do të përballen mes tyre më 1 prill të këtij viti, duel që do të zhvillohet në stadiumin “O2 Arena” të Londrës. Dy boksierët kanë rënë dakord për këtë sfidë, duke firmos marrëveshjen dhe zyrtarizuar atë, ndërkohë që konferenca për shtyp do të zhvillohet në mesjavë.
Joshua (24 fitore e 3 humbje në karrierë) rikthehet në ring pas humbjes në revanshin ndaj Oleksandr Usyk, gushtin e kaluar. Ndërsa Franklin (22 fitore e 1 humbje në karrierë), vjen nga humbja që pësoi ndaj Dillian Whyte në nëntorin e vitit të kaluar. Për Joshua, 33 vjeç, kjo është një sfidë vendimtare për të ardhmen e karrierës së tij, pasi një humbje tjetër do të thotë “lamtumirë” ring.
Joshua është ish-kampion bote në peshën e rëndë, ndësa Franklin (29 vjeç) synon të fitojë këtë sfidë me shpresën që të ngjitë shkallët dhe duelojë për titullin në të ardhmen. Një përballje që pritet me interes për të dy boksierët, që janë në një udhëkryq në karrierën e tyre.