Turqia tha më 8 qershor se një plan i Kombeve të Bashkuara për të krijuar korridor detar për eksportet e drithërave ukrainase, që do të mbikëqyrej nga Ankaraja, ishte plan “i arsyeshëm”, por kërkoi më shumë bisedime me Moskën dhe Kievin për t’u siguruar që anijet do të ishin të sigurta.
Pushtimi rus i Ukrainës, që nisi në shkurt, ka ndaluar eksportet e drithërave të Kievit nga portet e Detit të Zi, duke kërcënuar për një krizë globale të ushqimit. Kombet e Bashkuara dëshirojnë që të dyja palët, por edhe shteti fqinj, Turqia, të pajtohet për krijimin e një korridori.
Por, ka pengesa të mëdha për të arritur një marrëveshje, përfshirë edhe përpjekjet për ta bindur Rusinë që të lehtësojë bllokadën e porteve ukrainase dhe Kievi të largojë minat që ka vendosur. Pasi të tejkalohen këto pengesa duhet të binden kompanitë transportuese se korridori është i sigurt për t’u përdorur. Koha për të tejkaluar këto pengesa po mbaron dhe ka pak vend në depo për të ruajtur drithërat e reja të Ukrainës, që korren në fund të korrikut.
Pse janë të rëndësishme eksportet e drithërave të Ukrainës?
Rusia dhe Ukraina së bashku përbëjnë pothuajse një të tretën e furnizimeve globale me grurë dhe rëndësia e tyre është vënë në pah edhe më shumë për shkak të një ndalese të eksportit indian, por edhe motit të keq që ka dëmtuar të mbjellat në Amerikën e Veriut dhe Evropën Perëndimore.
Lufta, së bashku me sanksionet perëndimore kundër Rusisë, kanë bërë që të rriten çmimet e drithërave, vajit të gatimit, plehrave dhe çmimet e energjisë.
Këto janë shndërruar në një kërcënim për krizë ushqimore në shtetet e varfra, disa prej të cilave varen nga Rusia dhe Ukraina për më shumë se gjysmën e importeve të tyre të grurit.
Ukraina po ashtu është eksportuese e madhe e misrit, elbit, vajit të lulediellit dhe vajrave të tjera, ndërkaq Rusia dhe Bjellorusia-Minsku mbështet Rusinë në luftën në Ukrainë dhe po ashtu është subjekt i sanksioneve, përbëjnë mbi 40 për qind të eksporteve globale të mineraleve ushqyese.
Sa drithë është bllokuar në Ukrainë?
Industria e drithërave është një prej industrive kryesore të Ukrainës, teksa ky shtet kishte eksportuar 12.2 miliardë dollarë më 2021 apo një të pestën e eksportit të përgjithshëm të vendit.
Para luftës, Ukraina eksportonte 98 për qind të drithërave dhe vajrave përmes Detit të Zi. Ky shtet kishte eksportuar deri në 6 milionë tonë drithëra dhe vajra në muaj.
Por, me shumicën e porteve të bllokuara dhe sistemeve të hekurudhave që nuk po mund të përballojnë mbingarkesën e eksporteve, shteti tani është në gjendje të eksportojë minimum 2 milionë tonë drithëra në muaj, tha gjatë kësaj jave, Taras Vysotskyi, zëvendësministri ukrainas i Politikave Agrare dhe Ushqimit. Në maj, eksportet e drithërave, farave vajore dhe vajit ushqimor u rritën për 80 për qind brenda muajit, apo 1.71 milion ton, por këto shifra ishin dukshëm më të ulëta krahasuar me të dhënat zyrtare të eksporteve të majit të vitit 2021.
Uashingtoni ka akuzuar Rusinë se po përdorë ushqimin si armë në luftën në Ukrainë. Kremlini argumenton se Uashingtoni ka nxitur krizën duke vendosur sanksione ndaj Moskës.
Rreth 22 milionë tonë drithëra ishin të bllokuara në Ukrainë, sipas të dhënave të majit, për shkak të sfidave infrastrukturore dhe bllokadës në portet detare. Teksa çmimet po rriten, agjencitë e OKB-së duhet të ulin racionet për refugjatët deri në gjysmë, për shembull për Sahelin, për shkak të mungesës së fondeve.
Plani i OKB-së për zhbllokimin e eksporteve të drithërave
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, tha se takimi i së mërkurës me homologun e tij rus, Sergei Lavrov, ishte i frytshëm, por duhen ende më shumë bisedime për çështjen e zhbllokimit të eksporteve.
Lavrov tha se është në dorën e Kievit që ta zgjidhë problemin e zhbllokimit të drithërave të saj, duke kërkuar që Ukraina të pastrojë portet nga minat e vendosura. Nëse e bën këtë, atëherë, sipas tij, Rusia, me ndihmën e Turqisë, do të ofrojë kalim të sigurt të anijeve me dërgesa.
Megjithatë, Kievi tha se ka nevojë për “garanci efektive të sigurisë” para se të mund të nisë dërgesat, duke shprehur shqetësime se Moska mund të përdorë një korridor të mundshëm për t’ia mësyrë portit të Odesës.
Gjithashtu, drejtori i Shoqatës së tregtarëve të drithërave të Ukrainës, Serhiy Ivashchenko, tha më 8 qershor se Turqia – shteti që ka ushtrinë e dytë më të madhe në NATO dhe ka një flotë të madhe detare – nuk ishte mjaftueshëm e fuqishme për të vepruar si garantuese për kalimin e sigurt të anijeve.
Ai po ashtu tha se do të duhen të paktën dy deri në tre muaj për të larguar minat nga portet ukrainase, duke kërkuar përfshirjen edhe të marinave turke dhe rumune.
A ka pengesa të tjera?
Edhe nëse arrihet marrëveshja, kostot e sigurisë për çdo anije që do të ishte aq e guximshme për të lundruar në Detin e Zi do të ishin shumë të larta.
Situata është bërë edhe më urgjente për shkak të mungesës së hapësirës për të magazinuar drithërat në Ukrainë. Deri 35 për qind e kapaciteteve totale për magazinimin e 61 milionë tonëve të drithërave të Ukrainës mund të jenë të zëna për të ruajtur të korrat e vitit 2021 edhe kur të vijnë produktet e prodhuara nga të korrat e korrikut, tha qendra kërkimore, APK-Inform.
A mund të eksportojë Ukraina drithërat e saj përmes rrugëve tokësore?
Sistemi hekurudhor i Ukrainës është i lidhur me disa shtete fqinje evropiane, sikurse Polonia, prandaj drithërat janë transportuar përmes trenave të ndryshëm përtej kufijve, por këto mjete nuk kanë kapacitete të mëdha për të transportuar këto produkte.
Kievi ka shtuar përpjekjet për të bërë eksporte përmes portit rumun Konstanta në Detin e Zi. Deri në mesin e majit, vetëm 240,000 tonë drithëra apo 1 për qind e totalit të prodhimit të Ukrainës ka arritur që të eksportohet përmes këtij porti.
Ndryshimi i rrugës eksportit të drithërave për në Rumani është bërë përmes hekurudhave për në porte në lumin Danub dhe më pas dërgesat janë transportuar në portin Konstanta. Por, ky proces është kompleks dhe i kushtueshëm./ REL/