Qeveria e Maqedonisë së Veriut do t’i ndjekë politikat e BE-së dhe do të vendosë ndalesë për importim të naftës ruse në vend, informoi mbrëmë ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi pas vendimit më të ri të Komisionit Evropian që të ndalojë importim të derivateve dizel nga Rusia, njofton Portalb.
Në pyetje të gazetarëve për atë se sa sasi e naftës ruse importohet në vend, ministri Bekteshi u përgjigj: “Në pajtueshmëri me të dhënat që i marrim nga Komisioni Rregullator për Energjetikë në pjesën e konsumit dhe në pjesën e kompanive të cilat kanë licencë për tregti me pakicë dhe shumicë në shtetin tonë, viteve të fundit jo më shumë se 20 për qind është përdorur naftë e cila vjen nga rafineritë ruse, kryesisht nga një kompani e cila ka edhe pompa të benzinës në shtetin tonë”, deklaroi ministri i Ekonomisë.
Bekteshi shtoi se ndalesa për importim të naftës ruse në vend nuk do të ketë ndikim të madh në pjesën e furnizimit me derivate dhe e përsëriti qëndrimin e Qeverisë lidhur me sanksionet ndaj Rusisë se politika është që në përgjithësi t’i ndjekim të gjithë sanksionet të cilat i sjellë Komisioni Evropian dhe partnerët e tanë strategjik dhe masat e tilla do të vazhdojnë.
Ai pret që në periudhën vijuese Ministria e Punëve të Jashtme t’i propozojë Qeverisë që të sillet vendimi për ndalesë për importim të naftës ruse që të ndiqet vendimi për sanksione i Komisionit Evropian.
Pas fillimit të invazionit rus ndaj Ukrainës, Bashkimi Evropian solli një sërë sanksionesh ndaj Rusisë. Shefja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen para disa ditëve premtoi pakon e re të dhjetë të sanksioneve kundër Rusisë, me ç’rast paralajmëroi se deri më 24 shkurt të këtij viti BE-ja së bashku me vendet e G-7 do të vendosin kufizim plotësues të çmimit të naftës ruse.
Momentalisht çmimi i gazit natyror është në nivelin që nga fillimi i luftës në Ukrainë dhe ekspertët komentojnë se nëse EMV do ta pranonte ofertën e Makpetrol, do të kishte kursyer një milion euro në janar. Nga ana tjetër, ata që e mbrojnë vendimin e EMV-së komentojnë, po sikur të rritej çmimi? Nga elektranat shtetërore thonë se gjatë përzgjedhjes janë udhëhequr nga kriteret e tenderit.
“Nëse Makpetrol në dhjetor kishte informacion se çmimi për muajin janar do të kishte tendencë të ulet, duhet t’i ridrejtonte në ofertë dhe të jepte një ofertë me çmim fiks më të ulët, të cilin EMV Prodzaba mund ta merrte parasysh për shqyrtim së bashku me ofertuesit e tjerë që kanë dorëzuar çmim fiks”.
Kjo vjen vetëm dy muaj pasi EMV njoftoi se do të blejë gaz për periudha më të shkurtra kohore, pasi vërehet rënie në çmimet e bursave dhe siguroi se me prokurime të njëpasnjëshme për periudha më të shkurtra, do të sigurojnë kushte më të favorshme financiare. Kjo u kritikua nga disa ekspertë të cilët kërkuan blerje afatgjata, por Qeveria vazhdimisht theksoi se nëse do t’i dëgjonin ekspertë të tillë, shteti do të kishte humbur para. Megjithatë, në tenderin e fundit para vitit të ri, EMV e braktisi papritur këtë praktikë dhe u kërkoi ofertuesve çmime fikse për një periudhë më të gjatë.
Kjo bëri që kontrata për furnizimin me gaz natyror për muajin janar të ketë një deficit prej një milion eurosh, sepse çmimet e gazit ranë në mënyrë drastike. Burime të TV24 pranë autoriteteve energjetike thonë se ndryshimi i vendimit ka ardhur për shkak të presionit të biznesit, i cili kërkonte çmime të parashikueshme të gazit natyror. EMV shpalli tender të ri për muajin shkurt, në të cilin u bëri thirrje të gjithë tregtarëve, përfshirë Makpetrolin, që të dërgojnë oferta me çmimin më të ulët të mundshëm fiks.