Anketa e realizuar nga Qendra për strategji evropiane – Eurothink, nxjerr në pah po ashtu se 72% e qytetarëve vlerësojnë se vendi shkon në drejtim të gabuar.
Hulumtimi i opinionit publik ka treguar se, përgjithësisht, është vërejtur rënie e besimit të qytetarëve në institucione. Ushtria mban vendin e parë për besim siç ndodh rëndom, institucionet fetare janë në vend të dytë dhe policia në vend të tretë. Policia, në fakt, ka shënuar rritje sa i takon listës së besueshmërisë por përsëri 70% e të anketuarve mendojnë se policia nuk është e pavarur nga interesat partiake dhe biznesore.
“Nëse e krahasojmë, besimi tek të gjithë institucionet është në rënie të vazhdueshme me atë që besimi më i ulët përsëri këtë vit është te gjyqësori dhe prokuroria. Të gjyqësori është 6%, te prokuroria është 7%. Një vit më herët tek të dy sektorët ishte nga 8%”, tha Aleksandar Stojanovski, Eurothink.
Shumë nga të anketuarit mendojnë se qëndrimi i BE-së ndaj Maqedonisë së Veriut është jofer kurse Rusia konsiderohet si rrezik vetëm për 4% të qytetarëve. Një pjesë e madhe e tyre e shohin Bullgarinë si rrezikun më të madh.
“Në dy vitet e fundit Bullgaria shihet si armiku më i madh i Maqedonisë dhe ky trend vazhdimisht rritet. Nëse një vit më herët Bullgaria ka qenë në vend të parë me 23% të qytetarëve që mendojnë se Bullgaria është armiku më i madh, këtë vit, kjo përqindje është rritur në pothuajse 28%”, deklaroi Dimitar Nikollovski, drejtor i Eurothink.
38% e qytetarëve mendojnë se gjatë këtij vini do të bëhen ndryshimet kushtetuese, kurse 39% mendojnë se këto ndryshime nuk do të ndodhin këtë vit.
Rezultatet e këtij sondazhi janë nga matjet e opinionit publik nëpërmjet telefonit me 1006 të anketuar, në dhjetor të vitit 2022. /Alsat.mk