Më shumë se 15 mijë persona janë konfirmuar të vdekur në përditësimin e fundit nga tërmeti i fuqishëm që goditi Turqinë dhe Sirinë të hënën, raporton BBC.
Fatma Demir dhe motra e saj Merve u shpëtuan dje në mbrëmje në Turqi pasi mbijetuan për 62 orë nën një ndërtesë të shembur. Zyra e guvernatorit të Gaziantepit publikoi videon që pasoi shpëtimin.
Ekipet e kërkim-shpëtimit në qytetin juglindor të Turqisë, Gaziantep, vazhdojnë të kërkojnë pa u lodhur për njerëzit e mbetur nën rrënoja.
Në tërmetin që goditi Turqinë dhe Sirinë të hënën, Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se numri i të vdekurve mund të arrijë në 20 mijë.
Kërkimet për të mbijetuarit që ndodhen nën rrënoja vazhdojnë për të katërtën ditë. Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme tremujore dhe zemërimi po rritet në vend për reagimin e ngadaltë të qeverisë pas tërmetit. Presidenti turk mbërriti dje në zonat e prekura dhe pranoi se kishte “mangësi” në reagim.