LajmeMaqedoni

Ultimatum kompanive ushqimore, 20 ditë afat për uljen e çmimeve!

Sektori ushqimor ka një afat prej 20 ditësh për të ulur çmimet e produkteve, në të kundërt nuk mund ta përdorin energjinë elektrike të subvencionuar. Gjithashtu, do të gjobiten për shkak se nuk e respektojnë marrëveshjen me Qeverinë, për uljen e çmimeve. Analiza e Inspektoratit Shtetëror të Tregut, në fund të këtij muaji duhet të tregojë se sa kompani kanë ulur çmimet, dhe sa janë pasuruar në kurrizin e qytetarëve, edhe pse kanë përdorur energjinë elektrike më të lirë.

“Zbritja ishte menduar të shkonte nga shtatë në dymbëdhjetë, ose trembëdhjetë për qind, në varësi të produktit. Disa produkte vendore tashmë kanë ulur çmimet e tyre, fatkeqësisht disa jo, dhe do të duhet deri në fund të këtij muaji, kur do të kemi raportin përfundimtar të Inspektoratit Shtetëror të Tregut, dhe sipas atij raporti do të merren vendime të caktuara”, deklaroi Kreshnik Bekteshi, ministër i ekonomisë.

Kompanitë nga sektori i ushqimit përdorin energji elektrike që kushton 80 euro për megavat orë, në vend të 200 eurove që është në tregun e lirë. Kjo do t’i kushtojë buxhetit rreth 3.5 milionë euro deri në prill. Por, pasi subvencioni ka filluar të aplikohet nga 1 dhjetori 2022, në tregje shiten vetëm disa produkte me çmim më të lirë dhe jo të gjitha siç ishte rënë dakord fillimisht mes Qeverisë dhe prodhuesve ushqimorë. Qytetarët ankohen çdo ditë se në vend të uljes së çmimeve, shumica e produkteve shiten në tregje me çmime të reja më të larta se para aplikimit të rrymës së subvencionuar.

“Plani fillestar i autoriteteve ishte që rreth 200 kompani që prodhojnë ushqime do ta përdornin masën për energji elektrike më të lirë, dhe kështu si kusht duhej të ulnin çmimet e produkteve të tyre me rreth 10 për qind. Por, pas hyrjes në fuqi të kësaj mase, as gjysma e kompanive nuk ishin të interesuara për të shfrytëzuar subvencionimin e qeverisë. Por, ky nuk ishte kusht që ata të mos ulin çmimet e produkteve të tyre”, raporton Ile Petrevski, gazetar.

Një pjesë e industrisë ushqimore ende ankohet se nuk ka arsye për uljen e çmimeve, për shkak të lëndëve të para të shtrenjta nga jashtë. Por, Agjencia Ndërkombëtare e Ushqimit dhe Bujqësisë FAO ka njoftuar tashmë se çmimet e ushqimeve në tregjet botërore kanë rënë për nëntë muaj me radhë. Por, në Maqedoni kostoja e jetesës është rritur për 20 për qind në një vit, dhe peshën më të madhe në këtë inflacion e ka pikërisht rritja e çmimeve të ushqimeve. /Alsat.mk

Show More

Related Articles

Back to top button