LajmeMaqedoni

Mësuesit do të marrin një mijë denarë më shumë në pagën e janarit

Paga e janarit e mësimdhënësve në arsimin fillor dhe të mesëm, të cilën duhet ta marrin rreth 15 shkurt, do të jetë rreth 1000 denarë më e lartë. Kjo po ndodh sipas marrëveshjes së nënshkruar vitin e kaluar nga krerët e Sindikatës për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SASHK), Jakim Nedelkov dhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, pas grevës disajavore të SASHK-ut të vitit të kaluar, ku kërkuan paga më të larta për mësuesit, transmeton Portalb.mk.

“Rritja është obligim nga marrëveshja që kemi nënshkruar vitin e kaluar, me të cilën jemi pajtuar që të ketë një rritje totale prej 15 përqind. Rritjen e parë e kanë marrë në shtator për rreth 4.000 denarë, ndërsa e dyta do të jetë tani”, tha për Meta.mk, kryetari i SASHK-ut, Jakim Nedellkov.

Ai sqaroi se do të ketë rritje për të gjithë të punësuarit në arsimin fillor dhe të mesëm, por këtu nuk përfshihet stafi teknik sepse për ta ka pasur rritje me pagën e marsit të kaluar.

Përmes një komunikate për media, Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) bën me dije se respekton dhe përmbush plotësisht dispozitat e marrëveshjeve kolektive në arsimin fillor dhe të mesëm që janë lidhur me SASHK-un si partner i rëndësishëm në avancimin e cilësisë së procesit arsimor në vend.

“Pas rritjes së pagave të mësimdhënësve në shtator të vitit të kaluar, në fillim të këtij viti do të pasojë rritje e re. Rritja e vazhdueshme e të ardhurave personale tregon se ne punojmë në interesin më të mirë të mësimdhënësve dhe një nga prioritetet kryesore për ne është avancimi i pozitës së tyre në shoqëri. Punonjësit arsimorë janë hallka më e rëndësishme në procesin edukativo-arsimor dhe motivimi i tyre për punë reflektohet në cilësinë e mësimdhënies. Prandaj, ne vazhdojmë të punojmë për rritjen e të drejtave të tyre dhe përmirësimin e kushteve të punës”, informoi MASh.

Ndryshe, SASHK-u mbajti grevë prej 11 deri më 28 prill të vitit të kaluar, përmes së cilës kërkohej rritja e pagave prej 18.3% dhe nënshkrimi i marrëveshjeve kolektive. SASHK-u fillimisht e hodhi poshtë kategorikisht rritjen prej 10 për qind të pagave të punëtorëve në çerdhe dhe institucione arsimore, ndërsa anëtarësia sindikale nuk e pranoi as rritjen prej 12 për qind të ofruar nga Qeveria. Me ndihmën e ndërmjetësuesit, palët u ulën në tavolinën e bisedimeve, ndërkaq greva u pezullua. Epilogu i bisedimeve ishte që rrogat në shkolla dhe çerdhe prej shtatorit të vitit të kaluar të rriten për 15%.

Show More

Related Articles

Back to top button