Presidenti amerikan, Joe Biden po planifikon të udhëtojë në Poloni përpara se bota të shënojë përvjetorin e pushtimit rus të Ukrainës, më 24 shkurt.
“Biden do të takohet me presidentin polak, Andrzej Duda, gjatë vizitës së tij më 20 deri më 22 shkurt”, njoftoi dje ne mbremje zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre.
Presidenti Biden po planifikon gjithashtu të takohet me përfaqësues të vendeve të Evropës Lindore që janë gjithashtu anëtarë të NATO-s.
“Gjithashtu, Biden ka planifikuar të mbajë një fjalim më 24 shkurt, që do të fokusohet në mbështetjen e SHBA-së dhe aleatëve për Ukrainën”, tha Jean-Pierre.
Spekulimet janë rritur se Biden mund të përdorë udhëtimin e tij në Poloni për të vizituar Ukrainën gjithashtu.
Shumë liderë kanë vizituar Kievin dhe qyetete të tjera të Ukrainës që nga fillimi i pushtimit të Moskës, madje disa prej tyre kanë udhëtuar atje disa herë.
Anëtarë të qeverisë amerikane kanë udhëtuar gjithashtu në Ukrainë, përfshirë Zonjën e Parë, Jill Biden. Vetë Biden, megjithatë, nuk ka qenë ende atje.
Në përgjithësi, udhëtimet e tij shoqërohen me kontrolle shumë të rrepta sigurie. /DPA/