Bashkësia Fetare Islame do të siguroj asistencë mujore për 5.000 fëmijë jetim në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Projekti i titulluar “Në shërbim të jetimëve”, ka të bëjë me përkujdesjen e jetimëve në të gjithë territorin e Maqedonise së Veriut. Siç njoftojnë nga BFI, përpos asistencës financiare, projekti përfshinë edhe pagesën e harxhimeve shkollore, organizimin e kurseve, ekskursioneve dhe trajnimeve të ndryshme, mbështetje të fëmijëve që tregojnë aftësi të ndryshme, dhurimin e teshave, dru për ngrohje, paketa ushqimi tē Ramazanit dhe Bajramit dhe paketa shëndetësore. Implementimin e këtij projekti e kishte paralajmëruar para një muaj në emisionin “Politica” në televizionin Globi kreu i BFI-së, Shaqir Fetai, i cili theksoi se projekti financohet nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
“Me Emiratet tashmë kemi nënshkruar memorandumin për financimin e 5.000 jetimëve dhe tani veçmë kemi filluar të organizohemi për këtë projekt të madh. Ne duhet të paraqesim listën e 5.000 jetimëve të cilët kanë nevojë financiare që nënkupton edhe mirëmbajtjen e tyre dhe ajo do të jetë ndihmë konstante. Do të ju ndihmohet në shkollimin e tyre, jetën e tyre, nevojat që kanë, pastaj kurse të ndryshme, trajnime e ekuskursione, organizime të ndryshme për jetimët. Neve tani na mbetet të fillojmë t’i hulumtojmë rastet e jetimëve në të gjithë territorin e Maqedonisë”, deklaroi kryetari i BFI-së së RMV-së, Shaqir ef. Fetai.
Njoftimi u është drejtuar të gjitha Muftinive të vendit, të cilat duhet të dërgojnë numrin e jetimëve në territorin e tyre që askush mos mbetet jashtë listave. Nga projekti do të përfitojnë fëmijët që kanë mbetur pa babain e tyre ose të dy prindërit dhe duhet të jenë të moshës deri në 13 vite dhe nga e njejta familje mund të paraqitet numër i pacaktuar i fëmijëve jetim. Gjatë aplikimit, fëmijët jetim duhet të dorëzojnë certifikatën e lindjes, atë të vdekjes së prindërit, dy fotografi, numër kontakti, vërtetim nga shkolla nëse është nxënës dhe adresa e banimit.