BotaLajme

ISH-MINISTRI I JASHTËM NIKOS CHRISTODOULIDES FITON ZGJEDHJET PRESIDENCIALE NË QIPRO

Ish-ministri i Jashtëm Nikos Christodoulides u zgjodh president i ri i Qipros në balotazhin e së dielës, duke mposhtur rivalin e tij Andreas Mavroyiannis. Gjatë fushatës, Christodoulides u përqëndrua në mesazhin e bashkimit të ishullit të ndarë në vija etnike, duke shmangur ndarjet ideologjike dhe ato partiake.

Sipas rezultateve zyrtare, Christodoulides mori 51.9 për qind të votave, ndërsa rivali i tij, diplomati veteran Andreas Mavroyiannis, i cili pranoi humbjen, siguroi 48.1 për qind të votave.

“Është një fitore e jashtëzakonshme për të gjithë qipriotët. Nikos Christodoulides është presidenti ynë i zgjedhur, ai mori 52 për qind të votave. Ai ishte një kandidat i pavarur dhe populli foli me një zë të lartë dhe qartë”, tha votuesje 53 vjeçare nga Nikozia, Elena Christopher.

49 vjeçari Christodoulides gjatë fushatës zgjedhore ofroi një mesazh bashkimi për Qipron e ndarë në linja etnike, duke shmangur ndarjet ideologjike dhe ato partiake.

“SHQETËSIMI IM KRYESOR ËSHTË T’I JAPIM FUND PUSHTIMIT TURK, TË RIBASHKOJMË VENDIN TONË. DO TË BËJ GJITHÇKA PËR TË DALË NGA KY NGËRÇ, PËR TË RIFILLUAR DIALOGUN, PËR TË KRIJUAR KUSHTET PËR ZGJIDHJEN E PROBLEMIT QIPRIOT, NË MËNYRË QË NE, MIQTË E MI, TË GJEJMË NJË ZGJIDHJE QË DO T’U SIGURONTE FËMIJËVE TANË JETËN NË NJË VEND TË RIBASHKUAR, ME LIGJE DHE EKONOMI TË BASHKUAR”, THA AI PAS FITORES.

Christodoulides ofroi gjithashtu një mesazh të drejtpërdrejt për pjesën veriore të ishullit të banuar nga qipriotët turq.

“Sonte dëshiroj t’u drejtohem veçanërisht bashkatdhetarëve tanë qipriotë turq, të cilët po kalojnë momente të vështira. Ne ndajmë dhimbjen e tyre dhe dua t’i siguroj ata se ne do të ofrojmë mbështetjen tonë”, tha ai.

Christodoulides përballet me një sfidë të madhe në përpjekjet për të ringjallur bisedimet e bllokuara të paqes me qipriotët turq, që shpallën pavarësinë gati 40 vjet më parë nën emrin Republika Turke e Qipros Veriore.

Bisedimet për një marrëveshje të mbështetur nga OKB-ja për një Qipro federale, të mbajtura në Zvicër në vitin 2017, dështuan.

Turqia, i vetmi vend që njeh pavarësinë e pjesës turke të Qipros, mbështet një zgjidhje me dy shtete, të cilën OKB-ja, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera e kanë kundërshtuar./voa

Show More

Related Articles

Back to top button