LajmeMaqedoni

Çmimet nuk do ulen kurrë si para pandemisë! Qytetarët ankohen edhe për prodhimet vendore

Çmime të lira nuk ka as për prodhimet e fruta perimeve, të cilat kryesisht kultivohen brenda vendit. Çmimet e larta tregtarët i arsyetojnë me ngritjen e çmimeve nga furnitorët. Kurse, prodhuesit që kanë sera, thonë se fruta perimet e klasës të parë eksportohen jashtë shtetit, ndërsa për tregun vendor lënë produktet e madhësisë mesatare për t’ju përshtatur edhe çmimin. Për shembull domatja e klasës të dytë kushton 130 denarë, trangujt 110 denarë, dardha 70 denarë, molla 30 denarë, por qytetarët thonë se këto çmime sërish janë të papërballueshme për buxhetin familjarë. Thonë se askush nuk e punon tokën.

“Bujqësia është industri e madhe vetëm se nuk ka kush dhe nuk na punohet. Prandaj na gjen kjo. Duam të marrim paga vetëm duke lëvizur derën. Ashtu nuk ka.”

“Unë mendoj se janë të shtrenjta sepse kur blejë fruta -perime në shitore më vjen më lirë se sa në pazar. Atje importohen prodhime të huaja janë diçka më të lira por nuk kanë shumë dallim siç ishin më përpara çmimet më të pranueshme për ne.”

“Kjo 50 denarë, kjo tjetra 50 dhe kjo 25, gjithsej 125 denarë. Duhet angazhuar edhe studentët në punë sezonale, jo ti paguajnë bujqit por shteti. Por, këtu i nënvlerësojnë njerëzit, njësoj bënë edhe për duhanin”.

“Të shtrenjta janë për ne që kemi të ardhura të ulëta, paga të vogla apo pensione. Ata që janë me të ardhura të larta nuk iu duket shtrenjtë. E mos të flasim për këta të korruptuarit që marrin paga të larta, dora e majtë në xhep të djathtë.”

Biznesmenët thonë se qytetarët në të ardhmen nuk do t’i shohin çmimet e produkteve ushqimore si në vitin 2021, pra para krizës, por do të ketë ulje që korrespondojnë me pjesëmarrjen e çmimeve të lëndës së parë, energjisë elektrike dhe parametrave të tjerë që hyjnë në çmimi përfundimtar të produkteve.

“Duhet të bëhet përshtatja e kërkesës dhe ofertës. Duke marrë parasysh koston e prodhimit, transportit dhe fuqisë punëtore çmimet janë në optimalen. Problemi qëndron se produktet nuk janë të larta, por të ulëta janë pagat dhe të hyrat tjera të qytetarëve. Hendek, i cili ka ndikuar edhe në thellimin e inflacionit”, njoftojnë nga Oda Ekonomike.

Derisa shoqatat për mbrojtjen e konsumatorëve te ne flenë gjumë, në shtetin fqinjë, Federata e Konsumatorëve të Greqisë, ka shpallur bojkotimin e produkteve të qumështit për një javë, në shenjë proteste të çmimeve të larta në tregun e ushqimeve. Ata u bënë thirrje konsumatorëve që të bojkotojnë plotësisht produktet e qumështit për një javë për të ndikuar në uljen e çmimet të tyre. /Alsat.mk

Show More

Related Articles

Back to top button