Disa nga të dhënat e ekspertizës paraprake për aksidentin tragjik në Llaskarcë që ishin kyçe për ngritje të aktakuzës edhe për pesë persona të tjerë përveç shoferit të autobusit, përmes super-ekspertizës së re, e cila është përgatitur nga Byroja për Ekspertiza Gjyqësore mund të ndryshojë në tërësi kahen e procesit gjyqësor dhe i tërë faji, t’i adresohet vetëm shoferit të autobusit. Ekspertiza paraprake e cila ishte përgatitur nga pesë doktorë shkence, kishte konstatuar se shoferi i autobusit në një moment kishte frenuar, por frenat nuk kanë qenë plotësisht funksionale, përkatësisht frenat kanë pasur koeficient të frenimit prej më së paku 36% ndërsa minimumi ligjor është 45%.
“Kjo gjendje ka të bëje me parregullsi të rëndë të sistemit të frenimit. E njëjta është dashur të zbulohet në kontrollin teknik dhe të ishte rregulluar”, thuhet në Ekspertizën e porositur nga Prokuroria.
Autobusi kontrollin teknik e kishte kryer në një kompani në të cilën poashtu pronar është Durmish Beluli, përkatësisht pronari i Durmo Turs. Kjo ishte arsyeja që përveç shoferi të autobusit, në bankën e të akuzuarve uli edhe pesë persona të tjerë.
Këto gjetje asokohe nuk i pëlqyen mbrojtjes së të akuzuarve andaj kërkuan super-ekspertizë, kërkesë kjo që u miratua nga Gjykata Penale në Shkup. Kjo e fundit u përgatit për 1 vjet e dy muaj nga pesë persona me tituj më të ulët akademik se ato të ekspertizës paraprake, përkatësisht 1 doktor shkence, dy magjistra dhe 1 inxhinier i diplomuar. Kjo super-ekspertizë, e udhëhequr nga eksperti i afërt me BDI-në, Zekirija Zekiri, ktheu optimizmin në pjesën më të madhe të të akuzuarve kjo sepse sipas palës së dëmtuar dhe prokurorisë, amnistohen të gjithë të akuzuarit tjerë, përpos shoferit.
“Sa i përket sistemit të frenimit të autobusit, ekspertët janë të mendimit se ka pasur defekte në sistemin e frenimit të autobusit, por meqenëse nuk ka dëshmi të aktivizimit të sistemit të frenimit, mangësitë e evidentuara nuk kanë qenë shkaku i aksidentit”, thuhet në Super-ekspertizën e përgatitur nga Byroja e Ekspertizave Gjyqësore.
Ditë më parë u bënë katër vite nga aksidenti tragjik në Llaskarcë që mori jetën e 16 personave ndërsa 37 u lënduan rëndë. Edhe pse seanca e parë gjyqësore është mbajtur më 5 shtator të vitit 2019, kjo lëndë duket se është larg aktgjykimit të plotfuqishëm. /Alsat.mk