Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut njofton se procedurat administrative që ishin të nevojshme për blerjen e menjëhershme të ilaçit “Trikafta” për pacientët më kritikë që vuajnë nga fibroza cistike kanë përfunduar në një afat të shkurtër.
“Dorëzimi i medikamentit “Trikafta” për këta pacientë pritet të kryhet nga furnizuesi, në një periudhë sa më të shpejtë, jo më shumë se 30 ditë, sipas procedurave të punës së prodhuesit dhe furnitorit, dhe i lidhur me specifikat e vetë mjekësia.
Për këtë qëllim javën e kaluar nga Fondi i Shëndetësisë janë miratuar mbi 2.2 milionë euro dhe në bashkëpunim me të gjitha institucionet përkatëse, në ditët e kaluara kanë përfunduar të gjitha procedurat që mundësojnë blerjen e menjëhershme të pandërprerë të ilaçit “Trikafta” për pacientët në gjendje kritike nga fibroza cistike”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së RMV-së.
Gjithashtu, shtojnë nga atje, gjatë ditës së sotme do të mbahet mbledhja e dytë e organit të posaçëm në të cilën janë përfshirë drejtpërdrejt institucionet dhe përfaqësues nga Shoqata e Fibrozës Cistike. Në takimin e sotëm, në një proces gjithëpërfshirës dhe transparent, pritet të finalizohen ndryshimet e nevojshme në zgjidhjet ligjore, të cilat do t’i mundësojnë shtetit të negociojë drejtpërdrejt prokurimin e ilaçit “Trikafta” dhe në këtë mënyrë t’i sigurojë ilaçin të gjithë pacientëve./Telegrafi/