Kryeministri Dimitar Kovaçevski, nuk i komentoi tri kërkesat e bëra nga homologu i tij bullgar Kiril Petkov.
Kovaçevski tha se Maqedonia është pala që dëshiron të arrihet një zgjidhje, dhe Bullgaria duhet të jetë e gatshme të bëjë të njëjtën gjë. Ai shtoi se ndryshe nga Bullgaria, në Maqedoni koalicioni qeverisës asnjëherë nuk i ka shfrytëzuar negociatat me Sofjen për pikë politike ditore.
“Krejt e kundërta, në Republikën e Bullgarisë kjo çështje u ngrit në nivelin e politikës së brendshme në vendin e tyre. Shpesh ishte instrumentalizuar dhe politizuar në mënyrë të njëanshme, gjë që nuk është mirë. Prandaj, nga ky këndvështrim, nuk do të doja të komentoja supozimet, që dolën në media për disa kërkesa të palës bullgare, duke qenë se të gjitha kërkesat, të gjitha çështjet e hapura janë objekt i bisedimeve ndërmjet Ministrive të Jashtme”, tha Dimitar Kovaçevski – Kryeministër.
Nga ana tjetër, në një paraqitje në “Kanal 77”, kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka theksuar se kërkesat e Petkovit janë maksimaliste.
Sipas Mickoskit, nëse këto kërkesa hyjnë në kornizën negociuese për Maqedoninë, atëherë ekziston rreziku që Bullgaria të na bllokojë në çdo hap gjatë negociatave me Brukselin.
“Petkov para tri ditësh tha se këto tri kushte janë të rëndësishme për ne. Teorikisht, nëse ka një politikan në Maqedoni që do ta nënshkruajë dhe do të thotë – në rregull, jemi dakord, futini në kornizën e negociatave, atëherë Brukseli heq veton dhe fillojmë Konferencën e parë Ndërqeveritare, fillojmë negociatat dhe pas një kohe dikush, një Qeveri e re ose ndoshta e njëjta do të thotë – prit tani, këtu në librat akoma thotë se Goce Dellçevi është maqedonas”, u shpreh Hristijan Mickoski – Kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Mickoski theksoi se Qeveria, e cila do të udhëhiqej nga VMRO-DPMNE, nuk do ta respektojë një marrëveshje të tillë, sepse siç thotë ai, ajo hyn në identitetin e popullit maqedonas.