LajmeMaqedoni

Gruevski, Jankulloska, Mijallkov, sot Gjykata e Strasburgut do ta shpallë vendimin në lidhje me faljet e Ivanovit

Sot, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) në Strasburg pritet ta shpallë vendimin për abolimin skandaloz të ish presidentit Gjorge Ivanov, i cili në prill të vitit 2016-të i fali funksionarët dhe personat e tjerë të ndjekur nga Prokuroria Speciale Publike (PSP) e atëhershme, transmeton Portalb.mk.

Me abolimin e Ivanovit janë përfshirë 54 persona nga rastet e PSP-së. Mirëpo, një veprim i tillë i ish-presidentit shkaktoi reagime të ashpra nga faktori i jashtëm dhe i brendshëm, madje u mbajtën dhe protesta. Pas një muaji e gjysmë dhe pas ndryshimeve ligjore në Ligjin për Falje, ai i tërhoqi abolimet.

Disa nga ish-zyrtarët që ishin në listën e Ivanovit më vonë në Strasburg e problematizuan procedurën e zhvilluar ndaj tyre nga PSP, duke kërkuar heqjen e ligjit. Nga i njëjti aspekt, avokatët e tyre shpesh kundërshtonin çështjet në gjykatat vendase, duke iu referuar tezës se pasi të jetë dhënë një abolim, ai nuk mund të tërhiqet.

Kërkesën e parë në Strasburg e ka dërguar në fillim të nëntorit 2017, ish-kryetari i Manastirit, Vladimir Taleski, përmes avokatit Vlatko Ilievski, bashkëshorti i ish-ministres së Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska. Mirëpo, deri në fund të vitit 2018 janë dorëzuar tetë të tjera.

Në mesin e emrave që fillimisht i fali dhe pastaj ua hoqi faljen janë, ish-kryetari i VMRO-DPMNE-së dhe ish kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, ish drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov, ish ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska, ish ministri i Transportit dhe Lidhjes, Mile Janakieski, Martin Protugjer,

lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, Zoran Verushevski, Branko Crvenkovski, ish shefi i sigurimit të Gruevskit, Dejan Mitrovski-Urko, ish shefi i Drejtorisë së Pestë në DSK, Goran Grujoski, lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi, anëtari i KSHZ-së nga radhët e PDSH Bedredin Ibraimi.

Më së shumti ka falje ka pasur për Janakieskin dhe Jankullovskën. Ata janë në krye të listët me gjithsej 27 falje, për Nikolla Gruevskin dhe Martin Protugjerin nga 5 falje, ndërkaq për Zoran Zaevin dhe Zoran Verushevskin nga 2 falje.

Vendim për falje ka edhe për guvernatorin e kompanisë “Dajners klub Maqedoni” dhe bashkëshortin e Radmilla Sheqerinskës, Bozhidar Jankovski.

Edhe prokuroret speciale Fatime Fetai, Lile Stefanova dhe Gavrill Bubevski janë gjendur në mesin e të falurve nga Gjorge Ivanov. Kujtojmë se prokurorët special ishin të ndjekur për dyshime se kishin ushtruar presion ndaj dëshmitarëve.

Show More

Related Articles

Back to top button