Sot më datë 16.02.2023 (e enjte), Muftinia e BFI – Gostivar në krye me Muftiun H. Sabahudin ef. Zendeli, mbajti mbledhjen e fundvitit për vitin 2022. Këtë mbledhje e nderoi prezenca e Reisul Ulema i BFI e RMV, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, i shoqëruar nga H. Irsal ef. Jakupi-sekretar i përgjithshëm i BFI.
Në këtë mbledhje, që u hap me lexim Kur’ani nga H. Etem ef. Haliti, imam në Xhamitë e fshatit Negotinë, Muftiu në mënyrë të hollësishme i njoftoi anëtarët e Muftinisë për të gjitha rezultatet dhe aktivitetet e vitit që lamë pas gjatë vitit 2022, me shpresë që vitin që kemi nisur, të jetë edhe më i begatshëm dhe më i suksesshëm.
Me këtë rast, Reisul Ulemaja mbajti fjalën e rastit në fund të mbledhjes, duke e vlerësuar tejmase punën e Muftinisë së Gostivarit me të gjithë nëpunësit e saj dhe besimtarët në përgjithësi. Ai potencoi se uniteti i përhershëm dhe angazhimi permanent, çdoherë sjellin rezultate të mirëfillta, për çka u jemi mirënjohës.
Të gjithë anëtarët e Muftinisë i elaboruan dhe i diskutuan në detaje të gjitha punët e bëra përmes raporteve brenda vitit 2022 nga të gjithë sektorët e Muftinisë me materiale të shkruara si dhe planet për vitin 2023.
Me këtë edhe u përmbyllën raportet finale për çka u jemi mirënjohës anëtarëve të Muftinisë, imamëve, mualimëve, muderizëve, muezinëve, këshillave të xhamive, xhematit si dhe të gjitha strukturave tjera organizative në nivel lokal dhe qendror.