Platforma striming Netflix e ul çmimin e abonimit në vendet e Ballkanit, përfshirë Maqedoninë e Veriut. Ulja e çmimit të abonimit është një hap shumë i rrallë i ndërmarrë nga platformat e transmetimit dhe deri më tani nuk ka asnjë njoftim se abonimet mujore do të jenë më të lira në pjesë të tjera të Evropës apo botës, transmeton Portalb.mk.
Abonentët e Netflix që jetojnë në Kroaci, Serbi, Slloveni, Bosnjë dhe Hercegovinë, Shqipëri, Sllovaki, Bullgari dhe Maqedoninë e Veriut janë njoftuar tashmë për çmimet e reja dhe më të ulëta.
Për planin bazë, në vend të 8 eurove aktuale, Netflix në Ballkan tani do të tarifojë 5 euro në muaj. Plani standard, në vend të 10, tani kushton 8 euro, ndërsa plani premium kushton 10 euro, që është më lirë se 12 eurot e deritanishme.
Ulja e abonimeve në vendet e Ballkanit vjen në një kohë kur Netflix ka nisur zbatimin e një plani për të ndaluar ndarjen e fjalëkalimeve.