Tre bashkëatdhetar nga Gostivari të cilët jetojnë dhe veprojnë në Zvicër, kanë ndërmjetësuar një donacion me pajisje shkollore në vlerë prej 50 mijë euro për të adhur në Gostivar. Donacioni i dedikohet shkollave dhe çerdheve në Komunën e Gostivarit, ndërsa është dhuruar nga qyteti i Lucernit. Tre bashkëatdhetarët të cilët janë të moshave të reja, pos që kanë ndërmjetësuar, kanë mbuluar harxhimet e transportit. Pajisjet janë vendosur në shkollën fillore “Goce Dellçev”, prej ku pasjat do të shpërndahen, sipas nevojave, nëpër shkolla të tjera. Suzana Memedi, zv.drejtoreshë e shkollës fillore “Goce Dellçev”, tha se ky donacion ka qenë më se i nevojshëm me ç’rast ajo ka falenderuar bashkëatdhetarët, për siç tha ajo, edhe pse fizikisht nuk janë këtu, me zemër gjithmonë janë pranë vendlindjes.
“Sot pranuam një donacion nga qyteti i Lucernit të Zvicrës. Donacioni ka vlerë prej 50 mijë euro ku ka banka, karrige, shkafa, tabela. Ka shkafa e karrige edhe për në çerdhe. I falenderojmë shumë donatorët Veton Ibishi, Jetmir Memedi dhe Vehap Memedi. Edhe pse mërgimtarët tanë nuk janë këtu me ne, dëshmojnë se me zemër gjithmonë janë pranë nesh”, deklaroi Suzana Memedi, zv.drejtoreshë e shkollës fillore “Goce Dellçev”.
Me këtë vepër, këta tre mërgimtarë dëshmojnë edhe një herë se fuqia materiale e mërgatës gostivarase është shumë e madhe dhe po ndikon drejtpërdrejtë në zbutjen të problemeve financiare në Gostivar. Ndër vite, ata përkrahin familjarët e tyre në vendlindje, por edhe institucionet publike që veprojnë në Gostivar.