Qyteti i Shkupit edhe njëherë iu bashkua qyteteve më të ndotura në botë, e që sipas indeksit të ndotjes kjo situatë e cila po përsëritet tashmë prej vitesh është edhe arsyeja që Shkupi nuk i ndahet listës së top 10 qyteteve më të ndotura në botë. Për vite me radhë Qyteti i Shkupit kryeson listën e qyteteve më të ndotura në Evropë, e ndonjëherë edhe në botë. Raporti i BBC për vitin 2020, tregoi se plotë 202 ditë Shkupi ka pasur aktive grimcat PM10 të cilat janë të dëmshme për shëndetin e njeriut, e që si pasojë e kësaj ndotje sipas raportit të OBSH-së janë shkaktuar rreth 4.000 vdekje të parakohshme, ndërsa kostoja ekonomike sipas BBC, Qytetit të Shkupit i ka kushtuar nga 570 deri në 1.470 milion euro. Në dhjetor të 2022 “EuroNews” tha se niveli i ndotjes së ajrit është rritur për 28 herë më shumë sesa kufiri i vendosur nga OBSH, ndërsa matjet e një kompanie zvicerane treguan se Shkupi ishte qyteti i tretë në botë sa i përket ndotjes.
Kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut e hulumtuan edhe nga “Balkan Insight”, ku edhe vërejtën se niveli i ndotjes në Shkup ishte për 11,8 herë më shumë se niveli i lejuar nga OBSH. Sipas ekspertëve pavarësisht rritjes së evidencës së ndotjes së ajrit në vendet e Ballkanit, deklarimeve dhe angazhimeve për agjendën e gjelbër për Ballkanin Perëndimor, vendet e Ballkanit ende nuk e trajtojnë çështjen e ndotjes si çështje prioritare, prandaj ata besojnë se ka gjasa që në të ardhmen Maqedonia e Veriut të bllokohet nga BE, pikërisht për shkak të mënyrës së ballafaqimit me ndotjen e ajrit.
Por, Shkupi nuk është i vetmi në rajon i cili kryeson listat e vendeve me ndotje të lartë. Para Shkupit është Sarajeva, Beogradi është një ndër kryeqytetet më të ndotura në Evropë, e me raste edhe në listën botërore. Si qytet më pak i ndotur në rajon cilësohet Tirana, e cila sipas indeksit të ndotjes mbanë shifrën 86. Edhe pse Maqedonia e Veriut deri tani ka ndërmarrë disa veprime që e kanë afruar me legjislacionin dhe rregulloren e BE-së për ndotjen, në fushën e mbrojtjes së mjedisit ende nuk i ka përmbushur standardet e BE-së. Edhe pse të dhënat tregojnë cilësi të dobët të ajrit në Maqedoni, përpjekjet që bëhen nga autoritetet janë kryesisht teknike, e për t’u përputhur me legjislacionin e BE-së, ndërsa përpjekjet praktike në këtë fushë ende janë shumë prapa. Ajo që vlen të ceket është zbatimi i masave dhe aktiviteteve për realizimin e të ashtuquajturave “Direktiva”, e cila duke përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut vlerëson zbatimin e secilit vend, qasjen e monitorimit të cilësisë së ajrit, standardet e vendosura ligjore, informacionin përkatës që informon publikun, si dhe planet që synojnë përmirësimin e cilësisë së ajrit.
Ndotja e ajrit mund të shkaktojë probleme shëndetësore dhe efekte të dëmshme në mushkëri dhe zemër, ndërsa ekspozimi në ajër të ndotur mund të shkaktojë kollitje, përkeqësim të astmës si dhe zhvillim të sëmundjeve kronike të frymëmarrjes. Rekomandimet e mjekëve janë rreth përdorimit të maskave mbrojtëse në ditët kur ajri është i ndotur, bërja e sportit, shkuarja nëpër male (mundësisht jashtë Shkupit), si dhe përdorimi i vitaminave E dhe C. Hulumtimet tregojnë se ndotja e ajrit vjen si pasojë e djegies së drurit, qymyrit, trafikut rrugor, industrive, si dhe kushteve specifike të motit, të cilat kontribuojnë mjaftueshëm në ndotjen e ajrit. /koha/