LajmeMaqedoni

Gjykimi për Zeqirin sërish u anulua për shkak të gjendjes shëndetësore

Eksperti i angazhuar nga gjykatësja Fanka Jançulleva-Mihaillovska ka njoftuar se i akuzuari Muhamed Zeqiri nuk është në gjendje të mirë shëndetësore për ta ndjekur gjykimin, njofton Portalb.mk.
“Mendimin e ekspertit e keni. Është dhënë mendim se nuk është në gjendje që ta ndjekë gjykimin për shkak të gjendjes shëndetësore, që është e përkohshme. Seanca e radhës është në terminin e caktuar”, u tha gjykatësja avokatëve.
Ndryshe, Zeqiri ngarkohet se duke “keqpërdorur pozitën zyrtare dhe autorizimin” e ka dëmtuar buxhetin e shtetit për 89.385.255,00 denarë.
Sipas aktakuzës, i akuzuari si zyrtar shtetëror-sekretar i përgjithshëm i Qeverisë me paramendim ka kryer dy aktivitete të ndërlidhura me kohën që paraqesin realizim të shumëfishtë të së njëjtës vepër.
“Ai në periudhën prej muajit prill 2021 deri në muajin mars 2022, duke shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare dhe autorizimin, në dy raste ka vepruar në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për prokurim publik, pa kryer procedurë përkatëse për furnizim publik në të cilën në mënyrë konkurruese personi juridik do të zgjidhej për realizimin e aktiviteteve të nevojshme, ka lidhur dy kontrata me dy persona juridikë si ofrues të shërbimeve”, qëndron në aktakuzë.
Sipas aktakuzës, Zeqiri si sekretar i përgjithshëm i qeverisë ka lidhur privatisht kontrata për shërbime konsulente për analizimin e situatave në postë dhe hekurudha. Konkretisht ai akuzohet se ka dëmtuar mbi një milion euro buxhetin e shtetit.
Me veprimet e përshkruara, sipas akuzës, Zeqiri ka përfituar në mënyrë të paligjshme mjete në vlerë të përgjithshme prej 89.385.255 denarë (mbi 1.4 milion euro), vlerë për të cilën e ka dëmtuar buxhetin e shtetit.
Duke marrë parasysh rrethanat, ndaj të akuzuarit është caktuar masa e arrestit shtëpiak.

Show More

Related Articles

Back to top button