LajmeMaqedoni

Rikonstruimi i qeverisë, nuk shihet fundi i debatit në kuvend

Debati për rikonstruimin e qeverisë ka hyrë në javën e dytë. Mazhoranca nuk mund të parashikojë se sa mund të zgjasë seanca e kuvendit ku në rend dite janë shkarkimi i tre ministrave nga radhët e Alternativës dhe zgjedhja e anëtarëve të ri të kabinetit qeverisës. Arbër Ademi, koordinator i grupit parlamentar të BDI-së thotë se debati po zhvillohet në kuadër të dispozitave që parashikon rregullorja e kuvendit me të cilën, sipas tij po abuzon opozita.

“Po keqpërdoren mekanizmat që i ofron rregullorja në drejtim të zvarritjes së një vendimi të kuvendit për riformatim të qeverisë. Po shohim përsëritje të atyre pretendimeve në të cilat mbështetet opozita dhe ka moment kur debati është edhe i bezdisshëm. E gjithë kjo po bëhet vetëm që të zvarritet edhe një herë po e përsëris riformatimi i qeverisë dhe propozimi i vet kryeministrit për ndryshime në qeveri, por megjithatë kjo është ajo rregullorja e kuvendit dhe sigurisht, se edhe ne edhe kryetari i kuvendit z.Xhaferi i përmbahet me përpikshmëri dispozitave të kësaj rregullore.”, – deklaroi koordinatori i BDI-së, Arbër Ademi.

Ademi pret që të gjithë deputetët e BDI-së të votojnë pro rikonstruimit të qeverisë. “Të gjithë deputetët e BDI-së të cilët i besojnë vizionit të Ali Ahmetit, nuk kanë shprehë asnjë rezervë, asnjë ekuivok, asnjë dilemë, asnjë mëdyshje dhe asnjë hezitim sa i përket edhe zhvillimeve të fundit, pra deputetët e BDI-së që i besojnë Ali Ahmetit e mbështesin këtë nismë.”, – theksoi koordinatori i BDI-së, Arbër Ademi.

Sipas Ademit intenca parësore e rikonstruimit, ka të bëjë me krijimin e një fronti të gjerë evropian teksa ftoi të gjithë deputetët përfshirë edhe deputetët e Alternativës dhe Lëvizjes “Besa” që të bëhen pjesë e këtij fronti me qëllim të stabilitetit më të madh politik.

Show More

Related Articles

Back to top button